Pas largimit nga Qeveria, Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit deklaron se ndodhet në rrugë të mbarë dhe në një prej periudhave më të mira të saj. Partia thekson se është e fokusuar në përgatitjet për zgjedhjet lokale dhe nuk ka ndërmend të komentojë deklaratat e fundit nga VMRO-DPMNE.

“Aleanca për Shqiptarët ka ndjekur me vëmendje ‘pretendimet’ e VMRO-së ndaj partisë sonë dhe kryetarit të saj. Është e pritshme që, në këto ditë të vështira për një Qeveri që ndodhet në krizë dhe pa argumente politike, të shfaqen shpifje të natyrës më absurde,” thuhet në reagimin zyrtar të partisë.

ASH thekson se vendimi për t’u larguar nga Qeveria është marrë me vullnet të plotë dhe tregon, sipas tyre, integritetin dhe qëndrueshmërinë e forcës politike që përfaqësojnë.

“Ne jemi të përqendruar në punën tonë dhe në fitoren e Tetorit. Nuk dëshirojmë të merremi me fyerje apo akuza të pabaza ndaj një partie që, edhe pa ne, ka sfidat e veta serioze. Vetëm fakti që kemi dalë nga Qeveria me vullnetin tonë tregon se sa pak të korruptueshëm jemi – një gjë që për disa parti mund të jetë e pakonceptueshme,” thuhet më tej në deklaratë.

Aleanca për Shqiptarët synon që në zgjedhjet lokale të shënojë një rezultat të fuqishëm, duke u fokusuar në programin dhe vizionin e saj për qeverisjen vendore.