Kuletën e hodhi e paratë i futi në xhep.

193 euro. Kjo shumë që për dikë mund të jetë shpenzim ditor, për një burrë nga Fushë Kosova ishte një grimë shpëtimi prej borxheve.

Në pasditen e 15 majit të vitit 2023, teksa F.Z po ecte rrugës, rastësisht e gjeti një kuletë në tokë që i kishte rënë një qytetari kur kishte dal nga vetura, skaj rrethit të Fushë Kosovës.

Përveç dokumenteve, në të ishin edhe 193 euro.

Ajo ditë ishte me fat për të. Të paktën për pak orë. Halli i kredive të papaguara, varfëria dhe dy vajzat e vogla në shtëpi, e shtynë drejt një vendimi që sot e kërcënon me burgim.

Atyre parave ua pa sherrin. 193 eurot që dikur u dukën si shpëtim, sot mund t’ia rrënojnë jetën.

Disa muaj më pas, ai u ndalua nga Policia e Kosovës teksa po kalonte kufirin për në Maqedoni.
U arrestua dhe u dërgua në stacion policor. Që nga ajo ditë, nisi përballja me drejtësinë.

Ai thotë se edhe personi J.S, të cilit ia kishte marr kuletën, e kishte falur.

Kjo e gëzoi shumë, madje thotë se ishte i gatshëm që menjëherë t’i gjejë paratë e t’ia kthej.

Ai aty e kishte pranuar se i kishte marrë paratë nga një kuletë e gjetur, jo për pasuri, por për të mbijetuar.

Kjo sic kishte vepruar 5 vjet më parë kur e kishte lënë Kaçanikun për të filluar një jetë të re në Fushë Kosovë.

Me tri kredi të papaguara dhe dy vajza të vogla në shtëpi, gjykata nuk e pa arsyen, por veprën.

Më 24 shkurt 2025, Themelorja e Prishtinës, e shpalli fajtor 49 vjeçarin për veprën penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”

Atë e dënoi me 7 muaj burg efektiv, 500 euro gjobë, të cilat duhet t’i paguaj brenda 30 ditësh dhe 193 euro dëm që duhej t’ia kthej të dëmtuarit.

Kur hapi zarfin që i erdhi nga gjykata, u trondit. Tani, frika e tij më e madhe nuk është burgu, por fati i familjes.

Sot, 49-vjeçari punon në ndërtimtari. Gjendja ekonomike është më e mirë se atëherë kur e kreu veprën, por hija e burgut po i rri mbi kokë.