Shkruan: TetovaSot

Aleanca për Shqiptarët lindi në Strugë si një revoltë ndaj pakënaqësive brenda udhëheqësisë së PDSH-së, konkretisht ndaj Menduh Thaçit. Fillimisht u formua si Lëvizja për Reforma në PDSH, për t’u shndërruar më pas, bashkë me partitë e Vesel Memedit dhe të Gezim Ostrenit, në një forcë të re politike: Aleanca për Shqiptarët.

ASH ka kaluar nëpër sfida të mëdha, goditje dhe furtuna të njëpasnjëshme. Herë u bë pjesë e qeverisë, herë u tërhoq pas tradhtive që pësoi brenda koalicioneve. Fillimisht u tradhtua nga Afrim Gashi, që iu bashkua pushtetit. Më pas, një tjetër tradhti i erdhi nga Bilall Kasami, i cili në vend që të bashkëpunonte në Tetovë, i “nguli thikën pas shpine” Selës dhe ASH-së.

Megjithatë, ASH vazhdoi rrugën e saj – e lënduar dhe e përgjakur, por jo e shkatërruar.

Goditjen më të rëndë, ASH e përjetoi kur kreu i saj, Arben Taravari, e ndau partinë në dysh, duke marrë rrugën e bashkëpunimit me LEN dhe u bë pjesë e VLEN-it. Kjo lëvizje e shkatërroi emocionalisht Ziadin Selën, themeluesin dhe simbolin e kësaj force politike, i cili besonte thellësisht në idealin dhe vizionin që e kishte ndërtuar ndër vite pas shumë tronditjeve.

“Vulat dhe ASH-ja e vërtetë”

Pas kësaj ngjarje, nisi beteja për atë që u quajt “ASH-ja e vërtetë”. Vulat shkuan e erdhën nëpër gjykata, duke pritur vulat se cila është ASH-ja e vërtet e para apo e dyta, siç duket po krijohet një ASH e tretë, as me Selën, as me Taravarin – por me Mickovskin.

Protagonistët e “ASH-së së tretë”, duken si të etur për poste e pushtet, e jo përfaqësues të popullit. Nëse vërtet duan parime dhe jo pushtet, nuk e duan BDI-në, as Taravarin, pse nuk i bashkohen ASH-së së parë të Ziadin Selës?

E deri sa përçarja thellohet në ASH, është e pashmangshme që pas zgjedhjeve të dalë edhe një ASH e katërt, sepse kështu nisi duke u përçarë e duke rilindur një pas një ASH pas ASH-je.

Por, shpresa qëndron tek ata që ende besojnë në idealin dhe gjenezën e kësaj force politike. Vetëm duke u kthyer te ASH-ja origjinale, mund të mbajnë kokën lart dhe të thonë se luftojnë për parime – jo për poste ambasadorësh, drejtorësh apo ministrash.

Kush i fërkon duart pas çdo përçarjeje në ASH?

Çdo copëtim i ASH-së është fitore për Bilall Kasamin dhe Adnan Azizin – dy emra që janë bërë arkitektët e përçarjes politike shqiptare në Maqedoni. Ata nuk kanë frikë nga humbja – kanë frikë nga bashkimi. Sepse e dinë se të bashkuar shqiptarët janë të pathyeshëm, por të ndarë janë lehtësisht të manipulueshëm.
Ata nuk e kanë problem të jenë të vegjël – por nuk durojnë dot të shohin askënd tjetër të rritet. Prandaj, trazirat në çdo parti shqiptare nuk janë të rastësishme – ato fillojnë gjithmonë aty ku ka ndikim kjo dyshe.

“Pritet tronditje në LEN  pasi Kasami të bëhet lider”

Pasi ia dolën ta largojnë Taravarin nga VLEN-i për të pasur një rrugë më të lehtë drejt udhëheqjes, tronditjet tek VLEN priten edhe më të mëdha pas zgjedhjeve. Sepse, sipas shumë anëtarëve të këtij koalicioni, askush nuk e dëshiron Bilall Kasamin si lider të ardhshëm.

Nëse Kasami do të jetë lider i VLEN-it, coptimi do të jetë aq i madh sa që nuk do të ngel një anëtarë brenda VLEN-it vetëm për shkak se ideologjia e Bilall Kasamit është e qartë: edhe me “shkaun” bashkëpunon, vetëm që shqiptarët të mos jenë të bashkuar.

E deri sa Kasami dhe Azizi po nxisin që të formohet  ASH-ja e tretë,  pas ASH-së së dytë dhe të parë, ASH-ja e katërt do të lind pas zgjedhjeve sepse  populli thotë çka do të bësh do të bëhet dhe një do të shtohet!