Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi tornado të fuqishme përshkruan shtetet amerikane Missouri dhe Kentucky, duke lënë dëme të mëdha, duke çuar në gjendje të jashtëzakonshme dhe duke i lënë pa energji elektrike qindra mijëra njerëz në SHBA-në qendrore.
Guvernatori i shtetit Kentucky, Andy Beshear, konfirmoi se 14 persona humbën jetën në shtetin e tij. Ai paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet derisa operacionet e shpëtimit vazhdojnë.
“Ky është një tjetër mëngjes i vështirë për Kentuckyn pas një nate me mot vdekjeprurës”, shkroi Beshear në rrjetin social X, duke shtuar se shteti i tij është në një fazë aktive të shpëtimit me më shumë se 100 mijë të mbetur pa energji elektrike.
Para stuhisë, Beshear shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe tha se planifikon të vizitojë zonën e prekur për të vlerësuar dëmet. Pesë qarqe kanë lëshuar deklarata emergjence. Shërbimi Kombëtar i Motit një tornado që goditi pak pas mesnatës së të premtes e përshkroi si “jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Ndërkaq, në Missouri stuhitë morën jetën e të paktën shtatë personave, përfshirë pesë në zonën St. Louis dhe dy në qarkun juglindor Scott.
Sipas të dhënave nga PowerOutage.us, të paktën 700 mijë shtëpi dhe biznese në 12 shtete mbetën pa energji elektrike, me shtetet Missouri dhe Kentucky midis më të prekurve. Shfaqje të tornados u raportuan edhe në Illinois dhe Indiana, derisa sistemi i motit të ashpër përfshiu rajonin.