Gjykata Themelorë në Prishtinë, këtë të premte ka shpallur aktgjykim dënues me 5 vite e gjashtë muaj burgim ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë viteve 1998-1999, Çaslav Joliq.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Joliq u dënua me 5 vite e gjashtë muaj burgim për veprën penale krime lufte ndaj popullatës civile si në pikën A të aktakuzës, ndërsa për piken B dhe C kjo gjykatë nuk gjeti prova se janë kryer këto veprime.

Gjyqtari Arrni, njoftoi se ndaj të akuzuarit do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërkohë që të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit por jo më shumë se lartësia e dënimit të shqiptuar në këtë aktgjykim.

Lidhur me arsyetimin më të detajuar, gjyqtari Arrni njoftoi se palët do ta pranojnë me kohë me rastin e përpilimit të këtij aktgjykimi.