Në kuadër të aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani tha se reformat dhe investimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë.

“Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike”, ka shkruar e para e shtetit tonë në Facebook.
Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sesioni do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor, ku do të marrin pjesë edhe presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në agjendën e presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e po ashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.