Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, nuk i mbajti dot lotët në një fjalim të ngarkuar me emocione ku përmendi vuajtjet e popullit të tij, duke u ndaluar veçanërisht tek tragjedia e “papërballueshme” e fëmijëve të Gazës.

“Unë kam dhe vetë nipër e mbesa, e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo për familjet e tyre. Si mund të qëndrojmë indiferentë”, u shpreh Mansour, që në një moment ndaloi fjalën e tij e përplasi grushtin plot dhimbje në tavolinë, teksa përmendi më shumë se 1.300 fëmijë të vrarë që nga përfundimi i armëpushimit në muajin mars.

Ambasadori kujtoi skenat e nënave që përqafojnë trupat e pajetë të fëmijëve të tyre, e tha se ato janë të padurueshme për çdo njeri që ka një ndërgjegje.

Sulmi i Hamasit në tetor të vitit 2023 ndaj Izraelit, që shkaktoi luftën, rezultoi me vdekjen e 1.218 personave, kryesisht civilë, sipas një përllogaritjeje të AFP-së bazuar në shifra zyrtare. Militantët gjithashtu morën 251 pengje, nga të cilët 57 mbeten në Gaza, përfshirë 34 që ushtria izraelite thotë se janë të vdekur. Të hënën, Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi tha se të paktën 3.822 persona janë vrarë në territor që nga shembja e armëpushimit më 18 mars, duke e çuar numrin total të viktimave të luftës në gati 54 mijë, shumica civilë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume