Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ishte mysafir në shortkastin “Interkultura” të realizuar nga IMA me moderim nga Robert Alagjozovski. Në këtë intervistë, Taravari foli për arsyet e largimit nga koalicioni qeveritar, gjendjen e të drejtave të komuniteteve, marrëdhëniet ndëretnike e ndërkulturore, si dhe për bllokimin e integrimeve evropiane.

Taravari theksoi se, edhe pse marrëdhëniet ndëretnike nuk ishin arsyeja e drejtpërdrejtë e largimit, ato përbëjnë një ndër arsyet kryesore që çuan në këtë vendim. Ai shpjegoi se prishja e balancës ndëretnike dhe mosrespektimi i marrëveshjeve paraprake për ligjin e përfaqësimit të drejtë ishin tregues se partneriteti nuk po funksiononte.

“Për të qenë i sinqertë, kjo nuk është arsyeja e drejtpërdrejtë, por është një ndër arsyet – po, kjo është e vërtetë. Kishim një marrëveshje mes katër partive të VLEN-it dhe kryeministrit për një ligj të përgatitur nga Aleanca për Shqiptarët, i cili do të garantonte përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet. U tha se do të miratohej në dhjetor, por kaluan muajt dhe ligji nuk u soll kurrë,” – theksoi Taravari.