Kontrolle të shtuara në Parkun Kombëtar “Sharri” për shkak të pranisë së arinjve në zonat e banimit dhe turistike

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar ‘’Sharri’’ të mërkurën ka njoftuar se është duke monitoruar me vëmendje të shtuar situatën e krijuar si pasojë e aktiviteteve të disa llojeve të kafshëve të egra, e në mënyrë specifike të Ariut të Murrmë.
Sipas kësaj drejtorie arinjtë kanë shtuar frekuentimin në zonat e banimit si dhe në lokacionet e destinuara për vizitorë në territorin e Parkut Kombëtar ‘’Sharri’’.
“Kjo situatë po përsëritet çdo vit dhe kryesisht gjatë periudhës maj-qershor, ku arinjtë në kërkim të ushqimit shpeshtojnë frekuentimin e këtyre zonave dhe lokacioneve ku hidhen mbeturina ushqimore”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Për shkak të gjendjes së krijuar dhe në përpjekje për të monitoruar nga afër gjendjen, Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare ‘’Sharri’’ gjatë këtyre ditëve ka shtuar edhe numrin e kontrolleve dhe aktiviteteve në terren.
Në mesin e tyre ka përmendur kontrollet nga rojtaret e natyrës në lokacionet Brezovicë dhe Prevallë; angazhimin e shtuar të stafin profesional me kontrolla të përditshme përfshirë edhe ditët e vikendeve; takime dhe informim të vizitorëve rreth rreziqeve që paraqet kjo situatë; dhe informim përmes rrjeteve sociale, uebfaqes dhe formave tjera të komunikimit, raporton Telegrafi.
“DAPK ‘’Sharri’’, do të vazhdojë edhe me aktivitete tjera, por njëkohësisht i fton për bashkëpunim edhe institucionet tjera relevante dhe stacionet Policore të Shtërpcës dhe stacionet Policore të Prizrenit, si dhe kërkon nga banorët e zonës dhe vizitorët që të mos hedhin mbeturina ushqimore në territorin e parkut”, përfundon njoftimi.