Nga Partia VMRO-DPMNE janë bërë publike akuza të reja të rënda ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Vinko Filipçe, të cilin e cilësojnë si personin kryesor përgjegjës për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 qytetarë, përcjell INA.

Sipas deklaratës zyrtare të partisë opozitare, skandalet që lidhen me Filipçen nuk kanë të ndalur dhe pas “Aferës – Provizione që kushtojnë jetë”, në sipërfaqe po dalin fakte të reja alarmuese që lidhin drejtpërdrejt vendimet e tij me pasoja fatale.

“Filipçe është përgjegjës për ndërtimin e spitaleve modulare me cilësi të ulët dhe materiale lehtësisht të djegshme, siç ishte rasti në Tetovë, ku objekti u dogj tërësisht për vetëm dy minuta dhe la pas 14 viktima,” – thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Sipas informatave që ata kanë siguruar, Filipçe personalisht ka përgatitur specifikacionet teknike për tenderin e spitaleve modullare dhe i ka dorëzuar ato në sektorin për prokurime publike në Ministrinë e Shëndetësisë. Këtë e ka konfirmuar edhe një nga zyrtarët e ministrisë në dëshminë e dhënë para Prokurorisë Publike.

Personi i caktuar nga Filipçe si arkitekt përgjegjës për ndërtimin e spitaleve modullare ka deklaruar se nuk e ka përgatitur vetë specifikacionin teknik, por vetëm e ka përcjellë sipas urdhrit të ministrit – veprim që sipas opozitës tregon për një manipulim të qëllimshëm.

“Filipçes nuk i duhej një arkitekt profesionist, por vetëm një firmëtar i tenderëve të tij të dyshimtë, përmes të cilëve përfitoi provizione që përfunduan me humbje jete,” – akuzon VMRO-DPMNE.

Partia gjithashtu thekson se përdorimi i spitaleve modullare është bërë në mënyrë të jashtëligjshme, pa leje ndërtimi dhe pa dokumentacion teknik mbështetës, dhe si të tilla nuk kanë mundur të regjistrohen as në Kadastrën shtetërore.

Skandali thellohet edhe më shumë pas tragjedisë në Tetovë. Në vend që të ndërmerreshin masa korrigjuese, Filipçe ka lidhur një aneks kontrate me kompaninë që ndërtonte spitalet, duke rritur çmimin për 20% – vendim që VMRO-DPMNE e cilëson të paligjshëm dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me marrëveshjen bazë.

“Është e qartë se përgjegjësi kryesor për tragjedinë që ndodhi në Tetovë është Vinko Filipçe, atëherë ministër dhe sot kryetar i LSDM-së. E vërteta për spitalet modullare duhet të dalë në dritë. Prandaj, së shpejti do të publikohen detaje të tjera tronditëse nga Afera – Provizione që kushtojnë jetë,” – thuhet në fund të njoftimit.