Saraji po kthehet në fushëbetejën kryesore të koalicionit VLEN dhe kjo nuk është rastësi. Sipas burimeve të portalit TS, kjo komunë ishte pikënisja e një përçarjeje të thellë mes Arben Taravarit dhe tre liderëve të tjerë të VLEN-it, e cila më pas mori përmasa të theksuara ku ndodhi ndarja shpirtërore dhe fizike mes ASH-së dhe VLEN-it.
Në atë periudhë, Taravari e shihte Sarajin si bastion të pathyeshëm të ASH-së. Por edhe Izet Mexhiti nuk tërhiqej, Saraji dhe Çairi ishin themelet e Lëvizjes Demokratike. Ndërkohë, Bilall Kasami e shihte veten si forcë dominante përmes Lëvizjes BESA, duke e cilësuar Sarajin si territor të ndikimit të vet. Edhe Afrim Gashi nuk mungoi, duke e përfshirë veten në këtë duel politik të mbushur me ambicie dhe ego nëprmjet Orhan Murtezanit si ministër i “suksesshëm”.
Sot, beteja është rikthyer dhe është më e zjarrtë se kurrë. Sipas informacioneve të portalit TetovaSot (TS), gara në Saraj brenda VLEN-it ka hyrë në fazën më kritike.
Katër kandidatë janë futur në lojë dhe po trazojnë balancat e koalicionit.
TS mëson se Bashkim Bakiu dhe Muhamed Elmazi po i prijnë sondzaheve, më pas vjen Orhan Murtezani dhe Hasim Murtezani, këto të dhëna janë nga vet sondazhet e porositura nga VLEN-i.
Por pyetja që shtrohet është: A do të hyjnë në garë me kandidatin që e kërkon populli, apo sërish do të zgjidhet me short, ashtu siç ka ndodhur më parë në këtë koalicion?
E derisa shorti të rrotullohet për të vendosur se kujt do t’i bjerë Saraji, gjasat për një përçarje që mund të fillojë nga sot duket e vogël, por nesër ajo mund të rritet dhe siç duket ajo tashmë është e pranishme në VLEN.