Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi se subjekti i saj tashmë i ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë Kurti 3. Ajo ftoi partitë tjera që ta sfidojë Vetëvendosjen në Kuvend, duke theksuar se disa parti që deri tani kanë qenë në opozitë po e pengojnë me qëllim konstituimin e Kuvendit, sepse siç tha ajo, e dinë se Vetëvendosja e ka shumicën për qeverisje.
Pas dështimit për herë të njëzet e tetë të seancës konstituive që Haxhiu të votohet për kryeparlamentare, ajo tha se janë të hapur që të marrin pjesë në takime të tjera të ftuara nga presidentja e vendit.
Haxhiu iu bëri thirrje deputetëve të partive të tjera që të reflektojnë dhe të dalin nga kjo situatë, sepse sipas saj është e pakuptimtë të shkosh në kuvend dhe mos të bësh asgjë.
“Sa i përket ftesës së presidentes, tashmë ka ndodhur një takim i përbashkët me kryetarët e partive politike. Sipas informacioneve që i kemi aty është diskutuar edhe për takime të ndara veç e veç me lider. Ne jemi shumë të hapur që të marrim pjesë edhe në këtë takim. Ndonëse ftesa nuk është dërguar ende…Ndërsa, kur vije puna te qeveria siç e kemi thënë mbetet përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje dhe partnerëve siç është Guxo dhe Alternativa. Prandaj, në atë pjesë e marrim përsipër ne përgjegjësinë dhe punën dhe angazhimin në këtë drejtim. Urojmë që të kemi reflektim sepse mendoj që është shumë e rëndësishme që secili deputet të jetë në krye të detyrës. Është e pakuptimtë thjeshtë të vish në kuvend dhe mos të bësh asgjë”, Haxhiu.
E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu ritheksoi kundërshtimin e subjektit të saj karshi propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovë për një qeveri të tranzicionit.
Krahas kësaj, Haxhiu përmendi deklarimin e deputetit te PDK, Abelard Tahiri se “Qeveria Kurti është më e dëmshme sesa bllokimi i kuvendit”. Sipas saj, kjo e konfirmon se partitë e tjera me qëllim po e pengojnë konstituimin e kuvendit, sepse e dijnë që LVV-ja i ka numrat për krijimin e qeverisë së re.
Haxhiu: I kemi numrat për qeverinë Kurti 3 , le të na sfidojnë
“Nuk e kam të qartë se çfarë ka thënë zotri Gashi. Duhet ta theksoj që nuk e kam dëgjuar se si e ka theksuar. Ajo çka ne e kundërshtojmë është kjo ideja e kryetarit të LDK-së, për qeverie e tranzicionit. Shtrohet pyetja se pse duhet të kemi qeveri të tranzicionit kur qytetarët e Kosovës më 9 shkurt kanë folur…Ne kemi thënë që i kemi numrat për qeverinë dhe lë të na matin, le të na sfidojnë. Këta e dijnë që ne i kemi votat për qeverinë dhe e mbajnë peng kuvendin e Republikës së Kosovës…Këtë e konfirmon një deklaratë e ish-ministrit të drejtësisë, deputetit aktual, zotrit Tahiri i cili thotë që më e dëmshme është qeveria Kurti se bllokimi i kuvendit. Me këtë deklaratë, ata thonë që po e bllokojnë kuvendin sepse më e dëmshme se bllokimi është qeveria Kurti. Për qytetarët e Kosovës kjo qasje nuk është e mirë”, tha Haxhiu.
Sot ka dështuar për të njëzet e tetën herë të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Seanca e radhës do të mbahet më nëntë qershor në orën njëmbëdhjetë.