Kuvendi nesër në kuadër të mbledhjes së 54-t duhet ta shqyrtojë propozimin qeveritar që Azir Aliu të jetë ministër i Shëndetësisë. Në seancë, sipas rendit të ditës, është edhe propozimi për emërimin e Albrim Hoxhës zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.

Propozim – teksti për Aliun është dorëzuar nga Qeveria dhe është nënshkruar personalisht nga kryeministri Hristian Mickoski, e përmban biografinë e kandidatit. Në të bëhet e ditur se Aliu është inxhinier i diplomuar i elektros dhe doktor i shkencave informatike i cili për momentin e realizon funksionin profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Teknologjisë në kuadër të Universitetit të EJL në Tetovë. Aliu ishte ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës në vitin 2023 dhe 2024, ndërsa, sipas CV-së së dorëzuar, ishte edhe në pozita të tjera të larta dhe me përgjegjësi.

Mickoski javën e kaluar në një deklaratë për mediat tha se pritet bashkëpunim i mirë me Aliun në kuadër të Qeverisë. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti vlerëson se Aliu është propozimi më i mirë për ministër të Shëndetësisë. Ministri, siç tha para pak kohësh Mexhiti, duhet të jetë menaxher i mirë i cili e njeh sistemin dhe i cili mund të kontribuojë për përmirësimin e dikasterit.

Aliu është pjesë e Aleancës për Shqiptarët i cili mbetet në VLEN pas dorëheqjes nga 15 maji i këtij viti të Arben Taravarit dhe vendimit të tij të shkojë në opozitë.

Edhe propozimi që Hoxha të jetë zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është nënshkruar nga kryeministri Mickoski. Në biografinë e kandidatit bëhet e ditur se ai është gazetar me përvojë pune shumëvjeçare, ndërsa arsimin e tij e ka përfunduar në Fakultetin Juridik në kuadër të Universitetit Shtetëror në Tetovë.