Me pompozitet dhe për të larguar vëmendjen nga dështimet e mëdha politike dhe administrative, koalicioni VLEN njoftoi për disa punësime në Drejtorinë e Librave Amë. Këto lajme serviren si suksese për të mbuluar realitetin e hidhur në terren: diskriminimin sistematik dhe spastrimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore.
Të dhënat janë të qarta dhe alarmante. Vetëm në javën e fundit:
• Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari u punësuan 21 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
• Në ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë” – Strugë, 11 shqiptarë u pushuan nga puna pa asnjë shpjegim ligjor.
• Në Policinë e Tetovës, qytet me shumicë shqiptare, u pranuan 12 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.
• Në Ministrinë e Financave u shpall konkurs për 40 vende pune – u punësuan 19 maqedonas, sepse vetëm aq kishin aplikuar, ndërsa 21 pozita u anuluan për të shmangur punësimin e shqiptarëve.
Kjo është fytyra e vërtetë e një pushteti që po ndërton një administratë etnikisht të pastër, duke i përjashtuar shqiptarët sistematikisht dhe me qëllim. Sipas të dhënave nga burime të pavarura dhe raportime të besueshme, që nga qershori i vitit 2024, kur pushteti kaloi në duart e VMRO-DPMNE-së dhe satelitëve të saj politikë, mbi 800 shqiptarë janë larguar apo detyruar të largohen nga administrata publike.
Në vend të një qasjeje përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse në institucione, qytetarët shqiptarë përballen me një fushatë të organizuar për t’i zhveshur ata nga çdo rol në jetën publike. Përpjekjet për të shitur disa punësime kozmetike si suksese janë tallje me qytetarët dhe një përpjekje e dështuar për të mbuluar të vërtetën me propagandë.
Aleanca për Shqiptarët dënon me forcë këtë politikë të diskriminimit dhe përjashtimit dhe kërkon:
1. Hetim të pavarur për rastet e punësimeve dhe largimeve nga puna mbi baza etnike.
2. Ndërprerje të menjëhershme të politikës së spastrimit etnik nga institucionet shtetërore.
3. Përfshirje të përfaqësuesve ndërkombëtarë në monitorimin e barazisë në punësim.
Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Ata kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për këtë shtet. Heshtja përballë këtij diskriminimi është bashkëfajësi. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë!
Aleanca për Shqiptarët