Qeveria e Iranit merr vendimin: Teherani do të hapë stacionet e metrosë për t’u përdorur si strehimore kundër bombave

Kryeqyteti i Iranit, Teherani, do të hapë stacionet e metrosë 24 orë në ditë nga nata e së dielës që njerëzit t’i përdorin si strehimore, njoftoi një zëdhënës i qeverisë në televizionin shtetëror iranian. Kreu i këshillit të Teheranit, Mehdi Chamran tha se, meqenëse qytetit i mungojnë strehimore kundër bombave, civilët duhet të përdorin tunelet dhe bodrumet.
“Fatkeqësisht, ne në Teheran dhe në qytetet e tjera nuk kemi strehimore. Duhet të punojmë për të pasur strehimore tani, mund të përdorim planet që kishim më parë.”, u tha Mehdi Chamran gazetarëve të dielën.
Chamran tha se shifrat e viktimave në Izrael janë më të ulëta, pasi ky vend ka strehimore kundër bombave dhe zhvillon stërvitje të rregullta në gatishmëri për sulme të ardhshme.
“Në Teheran nuk kishte strehimore, njerëzit shkonin në bodrume”, tha ai, duke shtuar se metroja mund të përdoret si strehë në krizë ekstreme.
“Mund të përgatisim edhe parkingje nëntokësore, të ngjashme me kohën kur Sadami na bombardoi”, tha Chamran, duke iu referuar ish-udhëheqësit irakian Sadam Husein dhe luftës së viteve 1980.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi në një video-adresim të shtunën se Izraeli do të sulmojë çdo vend dhe çdo objektiv të regjimit të Ajatollahut. Irani ka kërcënuar të intensifikojë sulmet e tij nëse Izraeli vazhdon armiqësitë.