Më 13 qershor 2025, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës mirëpriti një delegacion nga
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, të kryesuar nga Dekani, Prof. Dr. Bekim Baliqi.
Vizita kishte për qëllim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, së bashku me
bashkëpunëtorët, i uroi mirëseardhje delegacionit dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të
deritanishme ndërmjet dy fakulteteve, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të
këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme akademike dhe kërkimore.
Në të njëjtën frymë, Dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Bekim
Baliqi, vlerësoi mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë për takimin, duke theksuar nevojën për
intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.
Gjatë kësaj vizite u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi, i cili shënon një hap të
rëndësishëm drejt avancimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale ndërmjet Universitetit të Tetovës
dhe Universitetit të Prishtinës.
Bashkëpunimi do të përfshijë: projekte të përbashkëta kërkimore, shkëmbim të stafit hulumtues dhe
mësimdhënësve, shkëmbim të studentëve, organizim të seminareve, konferencave, punëtorive të
përbashkëta dhe të ngjashme, shkëmbim të botimeve shkencore dhe materialeve tjera për qëllime
kërkimi dhe arsimimi.
Kjo vizitë dhe marrëveshja e arritur konfirmojnë angazhimin e përbashkët për zhvillimin arsimor –
shkencor dhe krijimin e një platforme të bashkëpunimit të suksesshëm midis dy universiteteve.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com