Sa më shumë që afrohet data e zgjedhjeve lokale, aq më shumë nxehet situata në çdo parti politike shqiptare. Portali TS mëson se edhe brenda koalicionit VLEN po vlon situata, ku dy komuna rrezikojnë të prishin ekuilibrin e brendshëm të koalicionit.
Saraji, që ishte një problematikë në kohën e Arben Taravarit, tashmë duket se është një çështje e kapërcyer, dhe me gjasë kjo komunë i takon Lëvizjes për Denokrstike të Mexhitit, me kandidaturën e Muhamed Elmazit.
Ndërkohë, Çairi dhe Tearca janë dy komunat ku kanë nisur përplasjet brenda koalicionit, jo për shkak të shortit, por për shkak të kandidatëve që rrezikojnë të humbin zgjedhjet.
Sipas anketave të fundit që ka siguruar portali TS, Bekim Sali në Çair që gëzon një autoritet të madh dhe ka gjasa të fitojë më lehtë ndaj çdo kandidati të Frontit Europian. Ndërsa në Tearcë, sipas po të njëjtave anketa, Daut Memishi, nëse do të jetë kandidat i VLEN-it, pritet të fitojë bindshëm që në raundin e parë. Megjithatë, flitet se shorti nuk e ka renditur atë në listën për komunën e Tearcës.
Sipas deklaratave publike të vetë koalicionit VLEN, Çairi i takon LD-së dhe kandidatit Visar Ganiu, ndërsa Tearca i takon Alternativës, me kandidat Amir Elezin.
Ky ngërç i brendshëm në VLEN mund të çojë në përplasje, ashtu siç ndodhi me komunën e Sarajit, e cila u bë shkak për largimin e Arben Taravarit nga VLEN-i.
Ndërkohë që në VLEN ka përplasje për atë se kush do të marrë cilën komunë, në BDI pritet që sonte të finalizohet ndarja e komunave mes saj dhe dy fraksioneve të ASh-së.
Pavarësisht emrave që do të garojnë, njohësit e politikës lokale theksojnë se këto zgjedhje do të jenë “zgjedhje të jetës apo vdekjes politike” për BDI-në, por edhe për partitë si LD dhe BESA, pasi çdo humbje në këto zgjedhje mund të jetë fatale për të ardhmen e tyre politike.