Shkruan: Rami Mislimi

E vërteta mund të vonohet, por nuk harrohet kurrë. Sa herë që VLEN mundohet të shesë patriotizëm, herë përmes këngëve, e herë përmes fotografive me djemtë e dëshmorve, e herë me Albin Kurtin, del në pah një realitet i hidhur për shqiptarët nën udhëheqjen e këtij koalicioni.
Ish-komandanti maqedonas, Stojançe Angelov e zhbëri në një sekondë gjithë propagandën patriotike të VLEN-it. Mbrëmë në Kanall 5, Angellovi ishte i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë duke thënë se “ligji i branitellave do të kalojë pas zgjedhjeve lokale, që të mos dëmtohet VLEN dhe të mos rikthehet BDI.

Kjo deklaratë e demaskon fytyrën e vërtetë të VLEN-it dhe strategjinë e saj të heshtur, ku pas çdo fotografie me Lulzim Jasharin dhe Albin Kurtin, VLEN fsheh një marrëveshje të pistë një tradhti të heshtur, të nënshkruar me kokën ulur.

Ajo që është vërtet tragjike dhe e dhimbshme është fakti që VLEN, sipas kësaj deklarate, ka bërë pazare në kurriz të shqiptarëve dhe mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, duke pranuar që ligji për branitellat të kalojë pas zgjedhjeve, një veprim që perceptohet si tradhti kombëtare.

Pse pra është bërë ky pazar në kurriz të gjakut të dëshmorëve të UÇK-së?

Sipas deklratave të Agellovit i bie që VLEN ka pranuar që ligji i “branitellave” të kalojë në këmbim që VMRO-ja të ndihmojë kandidatë të caktuar shqiptarë të VLEN-it në Çair, Tetovë e ndoshta edhe në Kërçovë.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Dhe këtu lind pyetja edhe për ish djalin e dëshmorit, pra për Fatmir Limanin?

A është dakord Fatmir Limani, ministri “shqiptar” i VMRO-së, djali i dëshmorit Beqir Limanit, që të kalojë ligji për ata që luftuan kundër UÇK-së, ndërsa gjaku i babait të tij të përmendet vetëm në përvjetorë e këngë folklorike?

Apo ndoshta Fatmir Limani, në bashkëpunim me Bilall Kasamin, kanë interesa personale që mbizotërojnë mbi interesin kombëtar?

Njëri dëshiron të mbetet kryetar komune në Tetovë me vota të maqedonasve, ndërsa tjetri dëshiron të jetë “shqiptari i parë” në VMRO dhe i përqafuari i Mickovskit?

E deri sa ligji i “branitellave” të kaloje pas zgjedhjeve, ne bashkë me VLEN-nin do të këndojmë për Adem Jasharin.

Sepse sot patriot është ai që këndon dhe voton për ligjin e “branitellave”, jo ai që i “mbron interesat” e shqiptarëve.