Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka ngritur një pyetje me ironi politike lidhur me funksionimin e qeverisë aktuale, e cila, sipas tij, megjithëse ka shumicën numerike në Kuvend, nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme sipas parimit të Badenterit.
“Si mund të quhet një qeveri që ka 75 deputetë, por nuk ka Badenter?” – pyeti Snopçe, duke shtuar se situata bëhet edhe më paradoksale kur shumica kishte dakordësi edhe me partinë opozitare LSDM për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Sipas tij, në dispozicion ishin të paktën 75 + 18 deputetë, pra gjithsej 93. Megjithatë, ligjet nuk u vunë fare në votim.
“Është e pakuptimtë – të kesh përkrahjen e 93 deputetëve dhe sërish të mos i vendosësh ligjet për votim.”
Për shkak të mungesës së Badenterit, sot nuk u votuan as ndryshimet në Ligjin për Kodin Zgjedhor dhe as ato në Ligjin për Arsimin Fillor.
Snopçe shtroi publikisht pyetjen:
“Ku qëndron esenca e këtij fenomeni? Çfarë do të thotë kjo? A mund të më ndihmojë dikush ta gjej një emërtim të përshtatshëm për këtë shumicë parlamentare?”