Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti mori pjesë sot në një forum rajonal të zhvilluar me kolegë nga Shqipëria dhe Kosova, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar për mbrojtjen e natyrës dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura.
“Sot, në një tryezë të përbashkët me kolegë nga Shqipëria dhe Kosova, u bashkuam në një forum rajonal për mbrojtjen e natyrës. Për natyrën. Për gjithçka që nuk flet, por që na jep jetë çdo ditë”, shkroi Mexhiti në një deklaratë publike, duke shtuar se natyra është një trashëgimi që na tejkalon dhe që nuk i njeh kufijtë administrativë.
Ai theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit si kusht themelor për suksesin e çdo politike mjedisore: “Asnjë politikë, asnjë strategji, nuk ka vlerë pa besimin e ndërsjellë dhe pa bashkëpunim të vërtetë”.
Në fjalën e tij, Mexhiti përmendi disa nga hapat konkretë që janë ndërmarrë nga qeveria në drejtim të mbrojtjes së natyrës: rritja e përqindjes së zonave të mbrojtura, ndërtimi i urave të bashkëpunimit, sjellja e teknologjive të reja dhe vendosja e gardheve solare për të mbrojtur bujqësinë pa dëmtuar jetën e egër.
Duke përdorur një gjuhë poetike dhe simbolike, ai theksoi se: “Kur një ari endet në Malet e Sharrit, nuk pyet nëse ka kaluar në Kosovë apo Maqedoni. Kur rrëqebulli i Ballkanit shfaqet në Mavrovë, nuk e di se po ndjek një kufi shtetëror. Kur një shpend fluturon mbi Prespë, nuk ndalet për të treguar pasaportë”.
Në këtë frymë, ai theksoi se mbrojtja e natyrës nuk mund të bëhet duke e parë botën me kufij politikë apo interesa të ngushta shtetërore: “Duhet të mësojmë të shohim më shumë me përgjegjësi e kujdes ndaj natyrës, dhe më pak me hartë”.
Në përfundim, Mexhiti shprehu një vizion afatgjatë për një të ardhme të qëndrueshme.
“Unë besoj fuqishëm se vetëm bashkë, me përulësi ndaj tokës dhe me dashuri ndaj brezave që vijnë, mund të ndërtojmë një të ardhme ku fëmijët tanë të mos na falënderojnë që shpëtuam natyrën, por të mos kenë nevojë ta bëjnë, sepse ajo nuk do të jetë në rrezik”.
Forumi i sotëm u konsiderua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një strategjie të përbashkët rajonale për ruajtjen e biodiversitetit dhe trashëgimisë natyrore të Ballkanit.