"Ministria e Energjetikës dhe FSHIIK hapën rrugën për një transformim të përbashkët digjital të sektorit të energjisë"

Ministria e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale dhe Fakulteti i shkencave informatike
dhe inxhinierisë kompjuterike (FSHIIK) nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi që do të
mundësojë përfshirjen e studentëve të FSHIIK në mësim praktik në Ministri, si dhe bashkëpunim
më të gjerë në fushën e digjitalizimit dhe inovacionit në energji në sektorin publik.
Me këtë hap, Ministria si institucion përgjegjës për sektorin e energjisë krijon bashkëpunim
formal me komunitetin akademik në drejtim të aplikimit të teknologjive të informacionit dhe
prezantimit të zgjidhjeve moderne digjitale. Studentët do të kenë mundësinë të punojnë në
projekte reale brenda Ministrisë, të angazhohen në analiza, zhvillim të mjeteve digjitale, si dhe të
kontribuojnë në automatizimin e një pjese të proceseve administrative.
Ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, theksoi se
bashkëpunimi me FSHIIK ka potencial të bëhet shembull i lidhjes së mençur të institucioneve me
ekspertë dhe talentë të rinj.
"Ky është një bashkëpunim nga i cili përfitojnë të gjithë – studentët kanë mundësi për punë
praktike dhe përvojë në institucione, Ministria merr ide të reja dhe mbështetje teknologjike,
qytetarët marrin shërbime më efikase. Prandaj, besoj se ky është fillimi i diçkaje shumë më të
madhe – një transformim teknologjik afatgjatë të sektorit të energjisë, veçanërisht në sektorin
publik, për të cilin të rinjtë do të jenë nxitës kryesorë", deklaroi Bozhinovska.
FSHIIK thekson rëndësinë e lidhjes së kapaciteteve akademike me nevojat reale të institucioneve
publike. Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Boro Jakimovski, shprehu besimin se studentët kanë shumë
për të ofruar në proceset e transformimit digjital.
"Studentët tanë nuk janë të trajnuar vetëm për të programuar – ata dinë të mendojnë në mënyrë
kritike, të zgjidhin probleme komplekse dhe të krijojnë zgjidhje softuerike për sfidat reale. Ne
besojmë se ata do të japin një kontribut të rëndësishëm në avancimin e punës së Ministrisë", tha
Jakimovski.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe zëvensësdekani për çështje mësimore Riste
Stojanov, si dhe inxhinieri i sistemit Vladislav Bidikov, të cilët janë pjesë e ekipit që do të
mbështesë zbatimin e mësimit praktik dhe koordinimit teknik me institucionet.
Memorandumi parasheh gjithashtu aktivitete të përbashkëta në formën e kërkimit, trajnimit për
punonjësit e Ministrisë dhe krijimit të zgjidhjeve inovative digjitale. Paralelisht, një pjesë e
aktiviteteve do të synojnë zhvillimin e mjeteve për efikasitet më të mirë të energjisë, transparencë
dhe analizë, si pjesë e angazhimit të Ministrisë për institucione të hapura.