Liderët e koalicionit VLEN mbrëmë u shfaqën me këmisha të bardha në hapjen e shtabit të përgjithshëm për zgjedhjet lokale, me qëllim që të paraqiteshin si fitues para opinionit publik. Por pas kësaj paraqitjeje simbolike, fshihen tensione të forta brenda subjektit.

Në këtë ngjarje të rëndësishme munguan dy figura kyçe: Afrim Gashi dhe Fatmir Limani.

Sipas burimeve të portalit TS, mes Afrim Gashit dhe Zeqirja Ibrahimit ekzistojnë përplasje të vazhdueshme prej disa javësh, të cilat rrjedhin nga një akt që Gashi e konsideron si “tradhti”. Mësohet se Ibrahimi, pa dijeninë e Gashit, kishte pranuar të “shiste” postin e kryetarit të Kuvendit për Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës, me qëllim që Sela të bëhej pjesë e qeverisë pas largimit të Arben Taravarit.

Ky veprim, i kryer pas shpine, ka shkaktuar një përçarje të thellë, ku Gashi, sipas burimeve, ka kërcënuar se do të largohet nga VLEN së bashku me tre deputetët e tij nëse Selës i jepet ky post. Madje, si një formë presioni dhe sinjal publik, Gashi ka publikuar një fotografi me ambasadorin shqiptar Donian Meidani, duke lënë të kuptohet për tërheqjen e tij të mundshme në rastë të marrjes nga Sela postin e kryeparlamentarit.

" "

Që nga ajo kohë, marrëdhëniet mes Gashit dhe Ibrahimit janë përkeqësuar dhe, sipas disa zërave, janë tërësisht të ngrira. Kjo përplasje besohet të jetë edhe arsyeja kryesore e mungesës së Gashit në hapjen e shtabit në sheshin Skënderbeu.

Ndërkohë, edhe mungesa e Fatmir Limanit nuk ka kaluar pa u vënë re. Ai raportohet se nuk ishte i pranishëm në shenjë revolte ndaj Bilall Kasamit, i cili thuhet se nuk ka përfillur Limanin për kandidaturën në Komunën e Kërçovës.

Grindjet e brendshme brenda VLEN, pavarësisht përpjekjeve për t’u mbuluar me këmisha të bardha dhe fjalime të bashkuara, tregojnë për një situatë të turbullt politike. Për më tepër, përplasjet për ndarjen e komunave mbeten të hapura, sidomos për Çairin dhe Tearcën, ku kandidatët që janë përmendur nuk gëzojnë mbështetje të madhe në terren, për dallim nga emrat që nuk u përzgjodhën.

Ndryshe, në anën tjetër të spektrit politik, BDI ka arritur një marrëveshje për bashkëpunim me të dyja Aleancat për Shqiptarët. Ato do të garojnë me kandidat të përbashkët dhe lista të përbashkëta në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.