Anëtari i Kryesisë së Alternativës, Mesut Bajrami, e ka quajtur “Iblis” liderin e partisë, Zeqirja Ibrahimi. Ai, përmes një profili që më parë ishte zyrtar i Alternativës në Kumanovë, ka publikuar kritika të ashpra, duke thënë se “Iblisi” i Alternativës po afron pranë vetes vetëm profiterë dhe po e shkatërron partinë.

> “Iblisi i Alternativës!
Pse ‘Iblis’?
Sepse ai po e shkatërron organizatën, duke afruar çdo ditë e më shumë rreth vetes profiterë, të cilët janë futur në parti pasi aktivistët e ndershëm dhe besnikë kanë bërë shumë beteja për ta ngritur atë. Ndërkohë, Iblisi po e shkatërron organizatën me vetëdije, për përfitime personale”, – ka shkruar Mesut Bajrami në një faqe që më herët kishte qenë profili zyrtar i Alternativës në Kumanovë, por që tani është emërtuar “Hajnat e Alternativës”.

Alternativa ka reaguar disa ditë më parë, duke deklaruar se profili në fjalë është hakuar.

Ndërkohë, në partinë e drejtuar nga Zeqirja Ibrahimi – Alternativa, janë shfaqur përplasje të mëdha për shkak të ndarjes së komunave, pasi Afrim Gashi nuk ka arritur të sigurojë asnjë komunë, ndërsa Mexhiti dhe Kasami pritet të kenë fitore në disa prej tyre.