Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikolloski, zhvilloi takim me homologun e tij bullgar, Grozdan Karaxhov, ku u theksua domosdoshmëria e ndërtimit dhe modernizimit të korridoreve transportuese evropiane, me fokus të veçantë në Korridorin 8 rrugor dhe hekurudhor, si parakusht për zhvillimin ekonomik rajonal dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit.

Nga një ide dhe dëshirë e hershme, tani bëhet një obligim konkret – të dy shtetet do të harmonizojnë një marrëveshje të përbashkët, që do të shërbejë si bazë për ndërtimin e tunelit që do të lidhë drejtpërdrejt rrjetin hekurudhor të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Duke e vënë theksin te lidhja hekurudhore mes dy vendeve, Nikolloski dhe Karaxhov theksuan se ky projekt ka rëndësi rajonale, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në pozicionimin strategjik të Aleancës së NATO-s, përmes lidhjes së Detit Adriatik me Detin e Zi.

Bullgaria ka dhënë miratimin për ndërtimin e tunelit të përbashkët dhe për herë të parë ka shpallur shifrën konkrete të investimit – 1.5 miliardë euro në linjën hekurudhore të Korridorit 8.

Më parë, Bullgaria kishte këmbëngulur që Maqedonia të fillonte dhe përfundonte e para ndërtimin e pjesës së saj të tunelit në zonën malore pranë kufirit, pa asnjë garanci për angazhim të palës bullgare – një mospërputhje që kishte bllokuar përparimin.

Gjithashtu, deri më tani mungonin të dhënat konkrete për investimet nga ana e Sofjes zyrtare, duke krijuar përshtypjen se projekti hekurudhor ishte lënë pas dore.

Tani, shifra prej 1.5 miliardë eurosh tregon një ndryshim të madh në qëndrimin e Bullgarisë, e cila ka pranuar se tuneli duhet të ndërtohet në mënyrë të përbashkët.

Nikolloski dhe Karaxhov ranë dakord të zhvillojnë një takim të ri së shpejti për të harmonizuar tekstin e Marrëveshjes që do të përfundojë marrëveshjen përfundimtare për ndërtimin e tunelit, hap që do të shënojë përparimin real të projektit të Korridorit 8 hekurudhor mes dy vendeve.