Dhjetëra mijëra studentë dhe protestues kundër korrupsionit janë mbledhur në Beograd të shtunën, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe fundin e qeverisjes 12-vjeçare të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Policia serbe vendosi dhjetëra oficerë me pajisje të plota të trazirave përreth ndërtesave qeveritare, parlamentit dhe parkut të afërt Pionirski, ku turma mbështetësish të Vuçiqit nga e gjithë Serbia u mblodhën për një kundër-protestë, shkruan Reuters.

Pasi protesta përfundoi rreth orës 22:00, disa protestues që donin të përballeshin me mbështetësit e Vuçiqit hodhën fishekzjarre drejt policisë, ndërsa policia përdori sprej piperi për t’i shpërndarë ata.

Muaj të tërë protestash nëpër Serbi, përfshirë edhe mbylljen e universiteteve, e kanë tronditur Vuçiqin, një populist, mandati i dytë i të cilit përfundon në vitin 2027, kur janë planifikuar edhe zgjedhjet parlamentare.

Kundërshtarët e Vuçiqit e akuzojnë atë dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj kundërshtarëve dhe kufizimin e lirive të medias – akuza që ata i mohojnë.

Protesta studentore pritet të zgjasë deri në orët e mbrëmjes në Sheshin Slavija dhe Bulevardin Nemanjina, ku ndodhen shumica e zyrave qeveritare.

Protestuesit, të cilët duan që qeveria t’i dëgjojë kërkesat e tyre deri në përfundim të protestës, janë zotuar për protestë paqësore.