Pas ofendimeve të rënda që i bëri sot kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ambsadorit shqiptar Denion Meidanit, ka reaguar nënkryetari i BDI-së, Bjaram Rexhepi. Ai në një status të tij në Facebook thotë se deklarata e sotme e Bilall Kasamit ndaj Ambasadorit të Shqipërisë, z. Denion Meidani, nuk është thjesht një lapsus i rradhës, por një akt i qëllimshëm, i ulët dhe skandaloz, që sulmon drejtpërdrejt shtetin shqiptar dhe përpjekjet e tij legjitime për të mbështetur komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ja teksti i plotë i Bajram Rexhepit

SULMI I “BOTËS SERBE” NDAJ SHTETIT SHQIPTAR!

Nëse një politikan shqiptar ka rënë aq poshtë sa të ironizojë dhe sulmojë publikisht përfaqësuesin e shtetit shqiptar, atëherë ai ka humbur jo vetëm busullën kombëtare, por edhe dinjitetin politik e njerëzor.
Deklarata e sotme e Bilall Kasamit ndaj Ambasadorit të Shqipërisë, z. Denion Meidani, nuk është thjesht një lapsus i rradhës, por një akt i qëllimshëm, i ulët dhe skandaloz, që sulmon drejtpërdrejt shtetin shqiptar dhe përpjekjet e tij legjitime për të mbështetur komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Një akt i turpshëm që flet më shumë për panikun e tij personal dhe për gjendjen e mjerë në të cilën ndodhet VLEN dhe Qeveria, që vetëm disa ditë më parë në raportin e euro deputetit austriak Tomas Vajc u definuan si përkrahës të rrezikshëm të botës serbe dhe të ardhmes europiane të vendit.
Jo Bilall, toka nuk legalizohet, as nuk shitet ashtu siç e shet ti në Tetovë, ndërsa paratë e qytetarëve i vendos në xhepin tënd. Legalizohet objekti, dhe kur bëhet fjalë për objekte publike dhe shkolla, çdo kontribut është për t’u përshëndetur, e jo për t’u ironizuar apo përbuzur. Aq më tepër kur në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet qartë: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.”
Por këtë TI, dhe të ngjashmit si ti që funksiononi sipas logjikës së nënshtrimit, sigurisht që nuk mund ta kuptoni.
Koha e hipokrizisë po mbaron. Po vjen koha e llogaridhënies, dinjitetit dhe përfaqësimit të drejtë për shqiptarët.