Vlenizimi i hiseve të Kazinove (Pjesa V): Ligji i bixhozit “gatuhet” me 199 nene, asnjë premtim i VLEN i përfshirë

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim dhe denoncon publikisht projektligjin për organizimin e lojërave të fatit, që pritet të kalojë në Qeveri dhe Kuvend nga VMRO–DPMNE dhe marioneta VLEN.
Ky projektligj përmban 199 nene, por asnjëri prej tyre nuk përmbush premtimet e dhëna nga koalicioni VLEN për mbylljen e bastoreve, reduktimin e pikave të bixhozit dhe ndalimin e lojërave online.
VLEN premtoi se do t’i mbyllë bastoret dhe kazinotë, se do të ulë për së paku 50% numrin e objekteve ku luhet bixhoz, dhe se do të mbyllë lojërat online me interpretim autentik të ligjit.
Por sot realiteti është krejt ndryshe. Në vendin tonë ka mbi 1.400 pika bixhozi, dhe këto vetëm po shtohen. Sipas të dhënave financiare, të ardhurat vjetore të industrisë së lojërave të fatit arrijnë nga 800 milionë deri në 1 miliard euro, që përbën pothuajse një të katërtën e buxhetit shtetëror. E gjithë kjo ndodh me miratimin e heshtur ose aktiv të partnerëve shqiptarë në qeveri.
Këtë e dëshmon edhe Neni 4 i ligjit të ri, që legalizon dhe zgjeron çdo formë të bixhozit, përfshirë edhe përmes internetit:
Neni 4:
1. Lojërat e fatit mund të jenë lojëra të përgjithshme të fatit dhe lojëra të veçanta të fatit.
2. Lojërat e përgjithshme të fatit janë:
1) lojërat e fatit të tipit lotari;
2) lojërat elektronike të fatit;
3) lojërat shpërblyese;
4) lojërat interaktive të fatit;
5) lojërat e fatit në formë dhurate (giveaway).
3. Lojërat e veçanta të fatit janë:
1) lojërat në kazino;
2) lojërat në bastore;
3) lojërat në klubet me aparate elektronike.
4. Lojërat e fatit në internet përfshijnë të gjitha llojet nga pika 2 dhe 3, si dhe çdo formë tjetër të lojës ku pjesëmarrësi mund të luajë përmes rrjetit global të internetit.
Me këtë nen, jo vetëm që nuk ndalohet asnjë formë e bixhozit, por legalizohen të gjitha – në çdo format dhe në çdo platformë, duke përfshirë edhe lojërat përmes internetit, të cilat VLEN premtoi t’i mbyllte.
Kjo është një tradhti politike ndaj qytetarëve shqiptarë dhe një mashtrim i hapur elektoral.
Në vend që të mbronin shoqërinë, të rinjtë dhe familjet shqiptare nga shkatërrimi që sjell bixhozi, përfaqësuesit e VLEN-it po bëhen garant të ligjit që e legalizon dhe institucionalizon këtë industri.
Qëndrimi ynë është i qartë. Aleanca për Shqiptarët kërkon tërheqjen urgjente të këtij ligji, dhe poashtu,
refuzim të prerë nga ana e VLEN-it. Mos ju interesojnë vetëm hiset e përqindjeve por edhe interesi i popullit. Nëse nuk kanë kurajë ta kundërshtojnë publikisht, atëherë le të pranojnë hapur se e kanë tradhtuar besimin e shqiptarëve.
Aleanca për Shqiptarët