Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në emisionin “Tema e ditës” në Ditarin e Televizionit Sitel theksoi se nuk do të ketë tatim për beqarët, por qëllimi është të hapet debat, të ngrihet vetëdija dhe shtoi se Qeveria do të ketë masa motivuese dhe subvencione, sepse duhet të punohet për natalitetin, pasi Maqedonia po vdes në heshtje.

“Dëshira ishte të ngrihet vetëdija për këtë problem i cili është serioz dhe po shkon drejt një katastrofe për të ardhmen e shtetit dhe kombit. Ka debate të mëdha në gjithë botën për demografinë dhe nuk do të mund të pajtohesha se lehtësimet tatimore janë zgjidhje, përkundrazi, ka raste ku megjithëse janë ofruar lehtësime të mëdha fiskale, nuk kanë dhënë rezultat. Përmenda një shembull, ai është Koreja e Jugut, ku për rreth 15 vjet, sipas burimeve të ndryshme, janë shpenzuar mes 200 dhe 270 miliardë dollarë për të stimuluar fertilitetin dhe natalitetin, por sot kanë normën më të ulët të lindjeve, 0,75 për nënë, ose në kryeqytetin Seul është vetëm 0,5”, theksoi kryeministri Mickoski.

Në këtë drejtim, kryeministri Mickoski përmendi edhe Poloninë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën, por edhe Maqedoninë, ku në vitin 2016 kishte rreth 23.000 foshnja të lindura, ndërsa në vitin 2024 vetëm 16.000 foshnja, që është 30% më pak, duke paralajmëruar se do të ketë një paketë masash sepse duhet të jemi të vetëdijshëm se po zhdukemi në heshtje, por ngadalë.

“Do të jetë një pako e kombinuar masash dhe ky është një nga segmentet e zgjidhjes së problemit, si për shembull gjashtë procedura in vitro falas në vend të tri procedurave që janë aktualisht, stimulime për fëmijën e parë dhe të dytë, lirimi i nënës nga tatimi personal për një vit për fëmijën e parë, dy vite për fëmijën e dytë, për të tretin më gjatë, çdo vit lirim derisa fëmija më i madh të mbushë moshën madhore e kështu me rradhë. Duhet të punojmë që në moshë shumë të hershme, të kuptohet se familja është unë, mami, babi, vëllai dhe motra dhe jo unë, mami dhe babi. Mendja dhe zemra janë më të rëndësishmet, ne do të japim stimulimet, janë ngritur edhe reagime, qëllimi është të ketë debat publik dhe kjo po ndodh”, deklaroi kryeministri Mickoski.