Në vend që të mbrojnë interesat e shqiptarëve, përfaqësuesit e VLEN-it po luajnë rolin e spektatorit të privilegjuar në një qeveri që sistematikisht i përjashton shqiptarët nga institucionet shtetërore.

Vetëm gjatë javës së parë të korrikut, në katër institucione qendrore janë realizuar gjithsej 133 punësime të reja, prej të cilave vetëm 5 u takojnë shqiptarëve, kryesisht në pozita të ulëta dhe asnjë në nivel udhëheqës. Konkretisht: 26 punësime në Ministrinë e Mbrojtjes (1 shqiptar), 10 në Ministrinë e Bujqësisë (0 shqiptarë), 50 në Ministrinë e Sportit (4 shqiptarë, pa asnjë në funksion drejtues), dhe 32 në Regjistrin Qendror (0 shqiptarë). Këto shifra nuk lënë vend për interpretime – ato dëshmojnë një diskriminim të qëllimshëm dhe të institucionalizuar.

Ky nuk është përjashtim i rastësishëm, por politikë e planifikuar për ekskluzion etnik, e heshtur dhe e toleruar nga partnerët shqiptarë të qeverisë.

VLEN, në vend që të mbrojë përfaqësimin e shqiptarëve, është zhytur në fushatë vetëpromovuese, ndërsa vendimmarrja reale dhe resurset publike kalojnë përmes filtrit të VMRO-DPMNE-së. Ata që dje predikonin “moral të lartë opozitar”, sot janë shndërruar në vazalë funksionalë të pushtetit, duke heshtur përballë padrejtësive të rënda.

Aleanca për Shqiptarët dënon këtë praktikë diskriminuese dhe kërkon përgjegjësi politike të menjëhershme për këtë pabarazi të papranueshme në përfaqësim dhe punësim. Institucionet publike nuk janë çiflig politik – ato duhet të pasqyrojnë strukturën reale të popullsisë dhe të funksionojnë mbi parimin e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë.

Nëse shqiptarët përjashtohen sot nga konkurrimet, nesër përjashtohen nga vetë shteti.

Aleanca për Shqiptarët