Shkruan: Rami Mislimi
Nuk desha të komentoj kandidimin e Visar Ademit për kryetar të komunës së Gostivarit si kandidat i pavarur, por më shtyu guximi i tij dhe matematika si një ekonomist i mirë, por pa e përfunduar barazimin që edhe vetë ai e di.
E para, si kandidat i “pavarur” në Gostivar nuk ka dhe nuk do të ketë figurë që i fiton zgjedhjet pas Rufi Osmanit, i cili i fitoi në vitin 2009, pas tij nuk do të lind më. Arsyet janë të njohura dhe reale, sepse partitë e fuqishme grinden mes vete, pavarësisht emrit të kandidatit.
Dhe tani, kur i referohemi matematikës së numrave , që ndoshta edhe Snopçja do të na korrigjojë ose do të na japë notën pesëshe, me cilën matematikë Visari ka marrë guximin që të dalë i pavarur në Gostivar përballë ASH-së së Taravarit dhe BDI-së së Ali Ahmetit?
Nëse ka dalë me matematikën e Bilall Kasamit, i bie që 900 vota të Bilallit përballë 28 mijë votave të ASH-BDI-së?
Të rikthehem te numrat. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, lufta ka qenë mes ASH-së dhe BDI-së. Në raundin e parë vota të pastra shqiptare ka pasur ASH-ja: 15,724 vota, ndërsa BDI-ja: 13,911 vota shqiptare. BESA e Bilall Kasamit ka pasur vetëm 909 vota shqiptare.
Për këshillin komunal në zgjedhjet e vitit 2021 në Gostivar ka pasur:
– 8,856 ASH-ja e Taravarit
– 8,296 BDI-ja e Ali Ahmetit
– 4,300 VMRO-ja bashkë me koalicionet
– dhe BESA me 897 vota.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024:
– Fronti Europian ka pasur 11,080 vota
– VLEN 10,719 vota
– dhe VMRO-ja 6,966 vota.
Dhe tash, me formulën e Halil Snopçes, i bie që Visar Ademi të niset me votat e Bilall Kasamit dhe votat e VMRO-së?
Me votat e këshillit të vitit 2021:
– Votat e ASH-së: 8,856 + 8,296 BDI = 17,152 vota
– përballë votave të BESËS: 897 + 4,300 = 5,197 vota
Me votat e kandidatëve të vitit 2021:
– Votat e ASH-së: 15,724 + 13,911 BDI = 29,635 vota
– përballë BESA me 909 vota + 4,300 të VMRO-së = 5,209 vota
Me votat e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024:
– BDI-ja 11,080 + ASH-ja 10,719 – votat e BESËS 909 = 20,890 vota
– përballë VMRO-së me 6,996 + BESA 909 = 7,905 vota
Atëherë, cila është matematika e Visar Ademit për të fituar zgjedhjet?
Kërkoj ndihmën e Halil Snopçes mos di ndonjë formulë interesante për fitore duke u bazuar në këto numra?
Nëse Visari është nisur me mendjen e Bilall Kasamit si “kandidati ynë i pavarur”, atëherë e paskam mashtruar veten se Visari është një ekonomist dhe profesionist i mirë.