Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, ku rasti më i fundit është Agjencia e Sigurisë Kombëtare, ku nga 41 të punësuar, vetëm një është shqiptar.

Ky diskriminim i hapur nuk është më thjesht shqetësim politik, është një goditje ndaj barazisë dhe karakterit multietnik të shtetit. Të gjitha të dhënat e bëra publike këto ditë për punësimet dhe avancimet në institucione janë të vërteta dhe të konfirmuara zyrtarisht nga vetë institucionet e shtetit. Prandaj, as shpifjet, as defokusimi nuk mund ta mbulojnë të vërtetën që tashmë është e qartë për të gjithë: shqiptarët po përjashtohen!

Përkundër këtij realiteti të dhimbshëm, subjektet që ia mbajnë ison VMRO-DPMNE, heshtin ose jetojnë në një univers paralel, duke refuzuar të përballen me realitetin. Kjo qasje naive dhe aventuriere, përveçse nuk prodhon asgjë për shqiptarët, tregon qartë se janë të kapur dhe të pajtuar me logjikën përjashtuese të mentorve të tyre politikë.

BDI rikujton se integrimi i shqiptarëve në çdo nivel institucional nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese, e cila nuk mund të negociohet as të injorohet.

Shqiptarët nuk do të heshtin dhe as nuk do të dorëzohen.