Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, po merr pjesë në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës 2025, e cila po mbahet në Romë, Itali.

Bëhet fjalë për konferencën e katërt me radhë me karakter ndërkombëtar, të dedikuar për rimëkëmbjen dhe rindërtimin afatgjatë të Ukrainës. Ngjarja është bashkëorganizuar nga qeveritë e Italisë dhe të Ukrainës, ndërsa qëllimi kryesor është mobilizimi i burimeve qeveritare, financiare dhe private për të mbështetur rindërtimin e vendit të goditur nga lufta.

Në Romë, zëvendëskryeministri Mexhiti e ka ripërsëritur qëndrimin e palëkundur të Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, si dhe gatishmërinë për të kontribuar në procesin e rindërtimit.

URC 2025 përfaqëson vazhdimin e serisë vjetore të forumeve të nivelit të lartë politik e cila që nga viti 2022 bashkojnë qeveri, institucione financiare ndërkombëtare dhe dhoma ekonomike rreth vizionit për një “rrugë të shpejtë, të qëndrueshme dhe evropiane të rimëkëmbjes së Ukrainës”.

Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në nivelin më të lartë edhe një herë dëshmon se vendi ynë mbetet përkrahës i qëndrueshëm i Ukrainës dhe pjesëmarrës aktiv në forcimin e solidaritetit evropian dhe partneritetit me NATO-n dhe BE-në.