Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë. Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington, ku, po ashtu, rikujtoi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si një “akt agresioni” nga Serbia – “të përgatitur tërësisht brenda Serbisë”. Në fjalën e saj, presidentja Osmani paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe se ato nuk duhen nënvlerësuar. Ajo tha se Kosova punon ngushtë me të gjitha nivelet e Qeverisë amerikane – qoftë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, të mbrojtjes apo të politikës – me synimin që “së bashku të mbrojmë dhe ruajmë paqen”.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit. Nuk b ëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona. Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë. Meqenëse ka ndodhur edhe më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi dhe frenimi kërkojnë më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkojnë edhe udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës. Ne kemi institucionet tona që po bëjnë një punë të shkëlqyer në mbledhjen e informacioneve dhe punojmë me partnerë individualë për të konfirmuar informacionin që mbledhin institucionet tona. Pra, nuk jemi kurrë vetëm”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.