Ousmane Dembele e bëri një tjetër paraqitje impresionuese mbrëmë ndaj Real Madridit për ta konfirmuar formën e tij jetësore të sezonit 2024/25.
Sulmuesi anësor e shënoi një gol dhe e bëri një asistim në triumfin e thellë të Paris Saint-Germainit ndaj “Los Blancos” me rezultat 4:0 në gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve.
E duke i pasur parasysh paraqitjet e krejt sezonit, ish-futbollisti i Borussia Dortmundit dhe i Barcelonës shihet si njëri prej kandidatëve kryesorë për ta fituar Topin e Artë.
Dembele kontribuoi tek PSG-ja edhe në fitimin e Ligue 1, e mbi të gjitha në triumfin historik në Ligën e Kampionëve.
Trajneri i tij, Luis Enrique nuk ka dyshim kur pyetet se kush e meriton çmimin prestigjioz individual këtë vit.
“Dembele është lojtari më i mirë i sezonit, me një diferencë të madhe. Është unik, i ndërron anët, është spektakolar. Shpresoj që të jetë në 100 për qindëshin e tij në finale (kundër Chelseat). I meriton të gjitha, edhe Topin e Artë”, u shpreh trajneri spanjoll.
Dembele pati statistika impresionuese në edicionin e fundit dhe ka qenë lojtari kyç në sukseset e parisienëve.
Kundërshtari i tij kryesor për ta fituar Topin e Artë është Lamine Yamal.