Departamenti Amerikan i Shtetit filloi të premten shkarkimin e mbi 1300 punonjësve, si pjesë e fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump për të zvogëluar masivisht numrin e të punësuarve në administratën federale.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit bëri të ditur se 1107 nëpunës civilë dhe 246 punonjës të shërbimit diplomatik janë njoftuar se do të shkarkohen. Punonjësit raportohet se kanë marrë vendimet e pushimit nga puna përmes postës elektronike.

Sipas planit të administratës Trump, punonjësit e shërbimit diplomatik do të humbin vendin e punës 120 ditë pas marrjes së njoftimit dhe do të dërgohen menjëherë në pushim, ndërsa nëpunësit civilë do të shkarkohen pas 60 ditësh, shkruan reuters.

Shkarkimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme u shpallën tre ditë pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së hapi rrugën për administratën Trump që të nisë shkarkime masive të punonjësve federalë.

Departamenti i Shtetit kishte më shumë se 80 mijë të punësuar në mbarë botën vitin e kaluar, nga të cilët rreth 17700 në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka paralajmëruar një ristrukturim të madh të ministrisë së tij në fund të muajit prill, duke ndarë në rrjetin social X një artikull ku sugjerohet ulja e numrit të punonjësve me 15 për qind.

Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump e ka bërë prioritet kryesor uljen e numrit të punësimeve në administratën federale, duke synuar shkurtimet drastike të vendeve të punës dhe shpenzimeve përmes Ministrisë së re të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), e cila më parë ishte drejtuar nga Elon Musk.