Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatën më të thellë ndaj përjashtimit të gjuhës shqipe nga tabelat rrugore në segmentin e sapoinauguruar Preseka–Pesoçan, pjesë e autostradës Kërçovë–Ohër. Mungesa e shqipes në mbishkrimet zyrtare të këtij aksit është një skandal institucional dhe një akt flagrant diskriminimi, i cili tregon qartë prapësinë me të cilën trajtohet gjuha shqipe në projektet shtetërore, edhe kur këto kalojnë përmes zonave të banuara me shqiptarë.
Përfaqësuesit e grupimit FLEN, të pranishëm në inaugurim, nuk dhanë asnjë reagim ndaj këtij skandali. Përkundrazi, u panë të garonin pas gërshërëve ceremonialë, për të dalë në fotografi me shiritin e kuq në dorë, sikur të ishin protagonistë të një projekti që është konceptuar dhe nisur gati dy dekada më parë.
Të vardisur pas pushtetit dhe interesave personale, ata nuk e vërejtën, ose nuk deshën ta vërejnë, mungesën e gjuhës shqipe në një projekt publik. Në vend që të mbronin dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, ata u mjaftuan me poza boshe për rrjetet sociale, duke u rreshtuar në vazhdimësi si figurantë të politikes së nënshtrimit dhe mohimit të identitetit shqiptar.
FLEN, i pavlerë dhe pa zë në qeveri, vazhdon të përvetësojë projekte të huaja dhe të heshtë para degradimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve, siç është edhe rasti i fundit me fshirjen e shqipes nga tabelat rrugore në këtë aks.
Ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një trendi të rrezikshëm të përjashtimit të shqiptarëve nga hapësira publike, ku FLEN jo vetëm që nuk reagon, por shërben si mbulesë legjitime për zbatimin e këtyre politikave diskriminuese.
Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se do të ngrejë çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në çdo nivel institucional, dhe nuk do të lejojë që përmes heshtjes së servilëve politikë, të normalizohet zhdukja graduale e shqipes nga jeta publike.
Tabelat rrugore janë vetëm një simbol – por pas tyre fshihet një realitet i hidhur: çdo ditë, shqiptarët po nëpërkëmben me pëlqimin e atyre që janë në pushtet vetëm për të bërë foto.
Aleanca për Shqiptarët