Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit nuk ka përfunduar ende. Forca të shumta policie kanë rrethuar këtë të martë një godinë trekatëshe në zonën turistike, shembja e së cilës pritet të bëhet përmes një shpërthimi të telekomanduar me lëndë plasëse.
Forcat e xhenios janë në terren dhe po vijojnë punën për instalimin e tritolit, me qëllim rrëzimin e ndërtesës.
Në një prononcim për Euronews Albania, pronari i objektit u shpreh i indinjuar për metodën e përdorur, duke thënë se vendimi për shkatërrimin e godinës është marrë me urdhër politik.
Sipas tij përdorimi i tritolit është një mesazh që “familjen tuaj ne duam ta fundosim”.
“Në Theth, që kur ka lindur Krishti, terror të tillë nuk ka parë. Nuk na ka njoftuar njeri për përdorimin e tritolit. Kjo shembet me një fadromë, por tritolin e përdorin për të treguar se këtë shtëpi duan ta fundosin. Vetëm se nuk duam Edi Ramën. Asnjë send tjetër nuk është këtu, i ka shokët e vet që i çojnë mesazhe ore e minutë, por ne nuk kemi problem as me të e as me oligarkët e tij. Kemi jetuar me djersën e ballit, nuk na ka zënë njeri në drogë, në vjedhje apo në poshtërsi. Duam të jetojmë me forcat tona në tokën tonë”, u shpreh pronari.
Ndërkohë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit përfundoi prishjen e godinave me fadroma mbrëmjen e të hënës.