Eurodeputetja Marta Kos, raportuese për Ballkanin Peréndimor në Parlamentin Evropian, ka vlerësuar ritmin e përshpejtuar të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar njëkohësisht nevojën për reforma të thella në Maqedoninë e Veriut, pas miratimit të raportit të parë për këtë vend pas tre vitesh.

Në një sërë postimesh në rrjetin X (ish-Twitter), Kos deklaroi:

“Bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë po përparojnë më shpejt se kurrë. Në Parlamentin Evropian theksova se ky përparim është tregues i përkushtimit të Shqipërisë dhe i mbështetjes së vazhdueshme të BE-së. Një përfshirje e tillë gjithëpërfshirëse e shoqërisë është vendimtare për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027.”

Ndërkohë, Kos nënvizoi edhe zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, ku Parlamenti Evropian miratoi raportin e parë për vendin që nga viti 2022.

“Një votë e qartë besimi për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Tani nevojitet përparim në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, duke shfrytëzuar momentumin aktual të zgjerimit.”

Deklaratat e Kos vijnë në një moment kyç për të dy vendet, teksa zgjerimi i BE-së është kthyer në një nga prioritetet strategjike të bllokut dhe vëmendja ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor është intensifikuar.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që hapën së bashku negociatat formale në vitin 2022, ndodhen tani në faza të ndryshme të procesit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume