Thirrja e Qeverisë për angazhimin e 400 personave të papunë për ndihmë në shuarjen e zjarreve është e hapur deri të enjten, deklaroi Stojançe Angelov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH). Dokumenti i vetëm i nevojshëm për aplikim është një vërtetim mjekësor nga mjeku amë që dëshmon se aplikuesi është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa aplikimi bëhet në qendrat lokale të punësimit.

“I ftoj të gjithë personat e interesuar për këtë masë qeveritare që më së voni deri të enjten të dorëzojnë aplikimin në qendrën lokale për punësim, në cilindo qytet të vendit. Aty do të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm. Është e rëndësishme që të sjellin një vërtetim mjekësor nga mjeku amë, në të cilin konfirmohet se nuk vuajnë nga sëmundje të rënda që do t’u pengonin në kryerjen e këtij detyrimi jashtëzakonisht të përgjegjshëm. Dokumente të tjera nuk janë të nevojshme. Nga ata që do të tregojnë interes për këtë punë do të përzgjidhen më të mirët, të cilët do të mund të pranohen si zjarrfikës profesionistë në njësitë territoriale kundër zjarrit. Më të mirët prej tyre, veçanërisht ata që ndodhen në Shkup dhe rrethinë, do të kenë mundësi të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e njësisë së re speciale për mbrojtje dhe shpëtim, e cila është në fazën e formimit”, tha drejtori i DMSH, Angelov.

Masa parashikon që personat e papunë që do të angazhohen për kryerjen e punëve publike, me fokus në krijimin e brezave mbrojtës kundër zjarreve dhe aktivitete të tjera për parandalimin dhe zvogëlimin e rrezikut nga zjarret, të marrin një pagë mujore prej 24.000 denarësh.