Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, nesër (e enjte, 17 korrik 2025) do të marrë pjesë në Forumin e nivelit të lartë për zgjerim, të titulluar “Ndërtimi gjithëpërfshirës i të ardhmes në BE-në e zgjeruar: Roli i dialogut social, shoqërisë civile dhe përfshirja e të rinjve”, i cili do të mbahet në Bruksel, nën organizimin e Komiteti Ekonomik-Social Evropian (EESC).

Ministri Murtezani do të marrë pjesë në sesionin hyrës të Forumit në VIP tryezën e rrumbullakët, së bashku me Kryetarin e EESC-së, Oliver Ropke, Ministren për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Majda Gorçeviq dhe Sekretarin shtetëror për Bashkimin Evropian të Spanjës, Fernando Sampedro. Forumi ka për qëllim të theksojë rëndësinë e dialogut social dhe angazhimin e organizatave të shoqërisë civile dhe të rinjve në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si bazë për ndërtimin e shoqërisë evropiane më të drejtë dhe më solidare.