Sot jam përpara jush për ta njoftuar opinion e gjerë publik se industria e kazinove që për një kohë u kthye në ndërmarrjen kryesore afariste në vendin tonë, po shënon një goditje të rëndë. Sot po fillojmë me vendosjen e rendit dhe çrrënjosjes së të keqes të cilën na e la peshqesh qeveria e kaluar.
Dje Qeveria jonë miratoi projektligjin për lojërat e fatit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në luftën kundër mafias së bixhozit për të cilën personalisht jam zotuar që në ditën e marrjes së përgjegjësisë si Zëvendës Kryeministër i Parë.
Ne trashëguam një shoqëri në të cilën bixhozi lulëzonte, e kazinot dhe pikat e basteve ishin hapur në çdo cep. Për pasojë, sot operojnë të paktën 1500 qendra bixhоzi, bastore e aparate bixhozi në territorin e gjithë shtetit. Fatkeqësisht, paraardhësi im ishte angazhuar personalisht në rritjen dhe shtrirjen sa më të gjërë të këtij biznesi fitimprurës për mafian, por shkatërrues për familjen.
– Me proejktligjin të cilin e miratuam dje në Qeveri, në start do të ulet prezenca e kësaj katastrofe kolektive për të paktën 70 për qind! Po e theksoj – KY ËSHTË VETËM FILLIMI! Pra, nga mbi 7 mijë aparate VLT, me goditjen e parë do të eliminohen 4 mijë sosh;
– Po ndalojmë reklamimin e bixhozit;
– Kazino nuk do të ketë më nëpër vendbanime, qytete e fshatra siç është gjendja aktualisht;
– Po largojmë klubet e bixhozit dhe bastoret të cilat organizojnë bixhoz për të paktën 500 metra nga objektet shkollore;
– Po rrisim taksat dhe tatimet për ta vështirësuar procedurën e hapjes së pikave të kumarit. Sa për krahasim, në qeverisjen paraprake me një licencë kompanitë kanë hapur pafund pika basti. E tani kjo do të bëhet e pamundur.
Të dashur qytetarë,
Lufta me industrinë e kumarit është luftë e vështirë dhe luftë e rrezikshme. Kjo është një strukturë e mirëorganizuar me natyrë kriminogjene e cila tejkalon kufijtë shtetërorë dhe nuk njeh barriera – as politike, as etnike, as kombëtare, as fetare. Mafia e bixhozit është kanceri i shoqërisë sonë – ajo premton fat, por sjell vetëm fatkeqësi! Dhe këtë strukturë na e la në trashëgimi Qeveria e kaluar!
Megjithatë, dua t’u siguroj të gjithëve se rezultatet e para konkrete në luftën tonë të vendosur kundër industrisë kriminale të bixhozit dhe lojërave të fatit po vijnë.
Muajin e kaluar ka nisur mbyllja e qindra faqeve të kumarit online, të cilat kanë ofruar shërbime në mënyrë të paligjshme në vendin tonë. Deri më sot kemi mbyllur mbi 200 faqe të kumarit online, i cili në mënyrë të heshtur, mu ashtu si kanceri, kishte nisur të mbërthente çdo familje, çdo fshat, çdo vendbanim, çdo qytet.
Nëse deri dje kishim kazino pranë shkollave, pranë shtëpive, në jetët e fëmijëve tanë – sot po vendosim rregull, ligj dhe dinjitet. Deri dje Qeveria e kaluar ndërtonte perandori bixhozi mbi varfërinë dhe dëshpërimin e shqiptarëve. Sot, Qeveria jonë po i rrënon këto perandori të krimit dhe po ndërton të ardhmen.
Për fat të keq, qeveria përpara nesh ka luajtur bixhoz me fatin e shqiptarëve. E ka kthyer varfërinë në biznes dhe dëshpërimin në votë. Ajo kohë ka marrë fund. Qeveria e re nuk është pjesë e sistemit të vjetër. Ne nuk flasim me fjalë boshe. Qeveria jonë vepron. Kjo është një betejë për të ardhmen, për fëmijët tanë, për rininë tonë, për familjet tona.
Kazinoja nuk është zhvillim, është shkatërrim. Kazinoja nuk është progres, është plagë. Kazinoja nuk është ekonomi, është krim. Do ta çrrënjosim këtë sistem, rrënjë e degë. Ky është ndryshimi që premtuam si Qeveri. Ky është shteti që e meritojnë qytetarët tanë. Ky është fillimi i një epoke të re.