Kryetari i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi, njëherit edhe njëri prej
liderëve të VLEN në një intervistë për MIA ka sfiduar opozitën shqiptare
duke i thënë që ta zgjedhin vitin në të cilin duan që t`i krahasojnë
punësimet e shqiptarëve me këtë qeveri.
Ibrahimi është i bindur se deri para zgjedhjeve lokale do të realizohet
punësimi i mbi 2500 shqiptarëve në institucionet e shtetit.
“ Ne e kemi sfiduar opozitën shqiptare që ta zgjedhin cilin vit ata e
duan nga qeverisja e tyre prej vitit 2002 deri në vitin 2024 me cilin
vit të tyre dëshirojnë të krahasohen për punësimet e shqiptarëve në
institucionet e shtetit. Unë jam i sigurt se kjo nuk ka ndodhur
asnjëherë në të kaluarën që 2500 shqiptarë të punësohen dhe të avancohen
brenda një viti. Ky proces është në zhvillim e sipër. Janë gjëra teknike
të lidhjes së kontratave, diku të përmbylljes së konkurseve, por kemi
dakordim të paluhatshëm që deri me shpalljen e zgjedhjeve lokale, i bie
deri me 8 gusht kur mund të shpallen zgjedhjet, të përmbyllet ky proces.
Dhe ne jemi të gatshëm që të raportojmë edhe me shifra të sakta se në
cilat institucione kanë ndodhur ato punësime dhe ato avancime. Kjo nuk
është diçka që ne mund ta fshehim e ta mbajmë jashtë syve të opinionit,
por janë gjëra që do të kalkulohen me numra dhe opinioni do të ketë
mundësi që ta shoh saktë se ky nuk ka qenë një premtim bosh, por një
vendim përmbajtësor”, deklaroi Ibrahimi.

Ibrahimi : Mërgatën shqiptare e tradhtuan ata që në vitin 2021 i
regjistruan si jo rezident
Kryetari i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi, njëherit edhe njëri prej
liderëve të VLEN në një intervistë për MIA ka komentuar kontestimin e
regjistrimit të popullsisë, duke theksuar se mërgatën shqiptare e kanë
tradhtuar ata që i kanë regjistruar si jo rezident.
Kjo, nuk d.m.th. se luhatet fakti se shqiptarët në këtë shtet janë afër
30 % dhe se dëmtohen të drejtat etnike të tyre.
“ Realisht më duhet të saktësoj se këtë temë nuk e ka hapur VLEN-i, por
kjo u bë temë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e
anuloi vendimin që ka qenë atëherë që regjistrimi të zhvillohet duke i
regjistruar qytetarët si rezident dhe si jo rezident. Ne, thjeshtë u
përgjigjëm. Duke e parë faktin e këtillë i bie që ata të cilët e kanë
bërë regjistrimin e atij viti, nëqoftëse mund ta përdorim atë term që e
përdorë opozita që ata faktikisht e kanë tradhtuar mërgatën shqiptare
për shkak se në mënyrë të padrejtë e kanë vendosur kategorinë e
qytetarëve jo rezident. Ky ka qenë reagimi i ynë që ta saktësojmë, sepse
ata gjithnjë po thirren në mbrojtjen e të drejtave etnike shqiptare dhe
në gardian të shqiptarëve. Por, realisht ata të cilët i kanë dëmtuar
shqiptarët janë pikërisht ata. Për shkak se mërgatën shqiptare e kanë
vendosur në kategorinë e qytetarëve jo rezident. Qëllimi ynë është që
të gjithë shqiptarët, të gjithë shtetasit e këtij vendi të janë të
përfshirë në numrin e përgjithshëm të popullatës dhe të mos lejohet të
diskriminohet askush, pavarësisht se gjatë vitit, sa kohë kalon në
vendlindje ose jo, kjo është një çështje tjetër. Kurse ne nuk mund ti
gjykojmë qytetarët se ata janë me punë të përkohshme diku jashtë vendit.
Gjithsesi, kjo nuk e luhat faktin se shqiptarët janë afër 30 % dhe kjo
nuk e dëmton aspak korpusin e të drejtave etnike të shqiptarëve në
Maqedoninë e Veriut ”, deklaroi Ibrahimi.