Deputeti Arbër Ademi ka reaguar fuqishëm ndaj një vendimi alarmues: VMRO-DPMNE në bashkëpunim me koalicionin “Vlen” ka propozuar fshirjen e nenit 96 të Ligjit për Policinë, i cili garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në këtë institucion.

Kjo nismë ka hyrë sot në seancë plenare të Kuvendit, pa zhurmë e në heshtje, ndërsa nga partitë shqiptare që pretendojnë “kujdes” për qytetarët shqiptarë, nuk ka asnjë reagim të denjë përballë këtij sulmi ndaj të drejtave tona kolektive.

Çfarë thotë neni 96 aktual i Ligjit për Policinë?

1. Gjatë punësimit në Polici, duhet të jenë të përfaqësuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë qytetarët që i përkasin të gjitha bashkësive, duke respektuar kriteret e aftësisë profesionale dhe kompetencës.
2. Gjatë punësimit në Polici duhet të respektohet parimi i barazisë gjinore.

Kjo është një ndër shtyllat që garanton përfaqësim të drejtë për shqiptarët në institucionet shtetërore! Fshirja e këtij neni përbën kthim prapa dhe rrezikim të themeleve të bashkëjetesës ndëretnike.

Kujt i pengon përfaqësimi i drejtë? Kush fshihet pas kësaj fushate sistematike kundër Marrëveshjes së Ohrit?

Shqiptarët kanë të drejtë të reagojnë. Tani është koha për zë të fuqishëm e të bashkuar kundër këtij vendimi të turpshëm!