Sot po hedhim një hap të ri, të madh dhe të rëndësishëm përpara. Sot flasim me shifra që kanë peshë, me projekte që do të lënë gjurmë dhe me vepra që e ndryshojnë realitetin e njerëzve. Me thirrjen e dytë nga instrumenti për investime kapitale, sot nënshkruhen marrëveshje për gjithsej 828 projekte, me vlerë totale prej 13 miliardë e 868 milionë denarë, ose afërsisht 225 milionë euro.

Asnjëherë më parë nuk është realizuar investim kaq voluminoz në komunat anembanë shtetit. Pjesa më e madhe e projekteve, plot 589, janë në fushën e transportit, ku do të investohen mbi 8 miliardë e 105 milionë denarë, ose 132 milionë euro. Kjo do të thotë rrugë të reja dhe të rehabilituara, rrugica, ura dhe lidhje lokale. Kjo nënkupton kushte të denja për jetesë, qasje të barabartë për të gjithë dhe potencial ekonomik për çdo komunitet.

Në fushën e mjedisit jetësor do të investohen mbi 2.4 miliardë denarë përmes 143 projekteve për ujë më të pastër, rrjete kanalizimi, menaxhim të mbeturinave dhe parqe të reja. Ky është kujdesi për të ardhmen, i shndërruar në vepra.

Në arsim, me 48 projekte, investojmë 1.6 miliardë denarë për shkolla të reja, klasa të rinovuara, kopshte për fëmijë. Ky është investim në dije, në të rinjtë, në ardhmërinë. Ka projekte edhe nga fusha e kulturës, politikës sociale, sportit, fusha që e ndërtojnë shpirtin e shoqërisë, që sjellin bashkim dhe jetë cilësore.
Kjo është ofensiva më e madhe investuese për komunat që është bërë ndonjëherë.

Jo vetëm për nga shifrat, por për nga vendosmëria dhe drejtësia.
Ndërtohet në gjithë shtetin, në të gjitha komunat që aplikuan dhe kishin dokumentacion të përgatitur. Pa filtra partiakë. Pa favorizime. Aty ku ka projekt, aty ka edhe mbështetje.

Kjo është thirrja e dytë. Në të parën u financuan 288 projekte. Ndërsa sipas përmbledhjes deri më 1 korrik 2025: janë nënshkruar marrëveshje për 281 projekte, 146 janë në fazën e realizimit ose tashmë po realizohen në terren, 113 projekte janë plotësisht të përfunduara, nga ato që janë në terren, 25 janë në fazën përfundimtare, ndërsa edhe për 6 projekte të tjera procedura e prokurimit publik është në zhvillim.

Nga plani deri në zbatim. Nga letra deri në kantierë. Nuk ka pritje, nuk ka justifikime. Ky është menaxhim i përgjegjshëm me paratë e qytetarëve. Paratë të cilat në të kaluarën përfundonin në xhepat e dikujt, sot shihen në objekte, rrugë, shkolla, ujësjellës.

Nga ngecja dhe partizimi deri te rezultatet dhe kantierët realë. Ndryshimin e tregojmë me vepra, nga spinat politike deri në shifra dhe eskavatorë. Maqedonia nuk është vetëm Shkupi, investojmë në mënyrë të barabartë në çdo fshat dhe çdo qytet. Këto nuk janë premtime partiake, këto janë 828 marrëveshje konkrete. Nuk flasim vetëm për ardhmërinë, por e ndërtojmë atë çdo ditë.
Nuk do të lejojmë asnjë rajon të mbetet i lënë pas dore. Nuk do të ketë qytetarë të rendit të parë apo të dytë. Çdo komunë është e rëndësishme. Çdo njeri është i rëndësishëm.

Ajo që po bëjmë sot është ndërtimi i themeleve të ndryshimeve. Me çdo marrëveshje të nënshkruar, me çdo projekt të nisur, e ndryshojmë ardhmërinë e Maqedonisë. Në emër të popullit dhe për popullin. Koha e Maqedonisë po vjen.