Hipokrizia e përfaqësuesve të koalicionit FLEN nuk njeh kufi. Çdo ditë që kalon, shfaqet edhe më qartë tendenca e tyre për të mashtruar opinionin publik, për të justifikuar dështimet e njëpasnjëshme dhe për të mbrojtur interesat personale e familjare në dëm të interesave të shqiptarëve.
Pak javë para shpalljes së zgjedhjeve lokale – datë që, për ironi, u shpall nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi – njëri nga zërat më të zhurmshëm të FLEN-it në rrjete sociale, por që nuk figuron as në sondazhet më modeste, Zeqirja Ibrahimi, vazhdon të premtojë punësimin e mbi 2.500 shqiptarëve në institucionet shtetërore. Një premtim jo vetëm i pabazë, por edhe juridikisht i pamundur, pasi Ligji për Zgjedhje ndalon qartë realizimin e punësimeve gjatë periudhave parazgjedhore.
FLEN po mundohet të gënjejë publikun duke shitur iluzione, ndërkohë që në terren diçka tjetër po ndodh: punësime të përzgjedhura, për njerëzit e tyre të afërt, familjarë të ministrave dhe zëvendësministrave. Lista është e gjatë dhe publiku e njeh mirë:
• Kushëri i zëvendëskryeministrit Arben Fetai
• Vëllai i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni
• Bashkëshorti i zëvendësministres së Sportit, Safije Sadiku Shaini
• Vëllai i ministrit Orhan Ibrahimi
• Vajza e Latif Arifit
• Dhëndri i ministrit Azir Aliu
Ky është realiteti i FLEN, për militantin e ndershëm nuk ka as kontratë, e jo më vend të përhershëm, ndërsa për rrethin familjar të funksionarëve, shpërblimi vjen me rroga të majme dhe pozita kyçe.
Ky nepotizëm i pastër është shpërblimi për besnikërinë politike ndaj VMRO-DPMNE-së. FLEN nuk përfaqëson shqiptarët – është vetëm një instrument në duart e partisë që historikisht ka luftuar çdo hap të shqiptarëve drejt barazisë dhe të drejtave themelore.
Në vend të transparencës, FLEN ofron kamuflime. Në vend të llogaridhënies, mashtrime. Në vend të përfaqësimit të denjë, puthadorë të VMRO-së.
Sondazhet e fundit ua treguan vendin. Shqiptarët e dinë kush i përfaqëson, kush i mashtron, dhe kush i shet. Tetori do të sjellë jo vetëm votën e ndëshkimit për FLEN-in, por edhe demaskimin e plotë të kësaj garniture të paaftë, të korruptuar dhe të kapur nga interesa joshqiptare.
Aleanca për Shqiptarët është dhe do të mbetet në krah të qytetarëve, jo të interesave familjare dhe politike të individëve të zhytur në pazare.
Aleanca për Shqiptarët