Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit shkencor dhe kulturor ndërmjet institucioneve të
arsimit të lartë, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Kırklarelit nga Turqia, më 17 korrik 2025,
kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i cili synon krijimin e kushteve për zhvillimin e
marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencore dhe kulturore mes dy universiteteve.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli,
dhe Rektorja e Universitetit të Kırklarelit, Prof. Dr. Rengin Ak.
Ky memorandum parasheh: shkëmbim të studentëve dhe stafit akademik; zhvillim të
përbashkët të aktiviteteve shkencore; pjesëmarrje në konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare;
shkëmbim të informacionit teknik dhe shkencor si dhe krijim të ekipeve të përbashkëta kërkimore.
Palët kanë rënë dakord se çdo aktivitet do të rregullohet në marrëveshje të veçanta, duke
respektuar parimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, pa imponuar obligime financiare për palën pritëse
gjatë shkëmbimeve. Çdo universitet do të caktojë një koordinator për ndjekjen e aktiviteteve të
përbashkëta brenda një muaji pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë
dhe nxitjes së shkëmbimeve akademike dhe kulturore në rajon dhe më gjerë.