“Qëlloi me pushkë ndaj tre personave, e më pas tentoi edhe ndaj policëve”, MPB me kallëzim penal ndaj një 29-vjeçari

SPB Manastir ngriti kallëzim penal kundër G.P. (29) nga fshati Angellc, komuna e Vasilevës, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e dy veprave penale “Tentim vrasje”, tre “Vjedhje të rënda” dhe një vepër penale “Përpunimi, mbajta dhe tregtimi i palejuar i armëve të zjarrit ose lëndëve shpërthyese”.
Siç bëri të ditur MPB, në periudhën nga data 2 deri më 07 korrik të vitit 2025 në zonën e fshatit Kërklino, rrethi i Manastirit, i denoncuari ka hyrë në dy uikend shtëpiza, nuk ka marrë asgjë dhe ka shkaktuar dëme materiale, ndërsa në fshatin Sërpc i Poshtëm, komuna e Mogillës, me përdorimin e forcës ka hyrë në një shtëpi dhe ka marrë një pushkë gjuetie të kalibrit 16 mm dhe dy bidona me karburant.
“Më 7 korrik të vitit 2025, gjithashtu, në zonën e fshatit Sërpc i Poshtëm, ka qëlluar me pushkë në drejtim të një 22-vjeçari dhe dy të miturve të moshës 15 dhe 16 -vjeçare, dhe më pas në hyrje të fshatit Vasharejc tentoi të qëllonte ndaj nëpunësve policorë, por nuk ia doli, për ç’shkak e qëlluan dhe e goditën në këmbë, kështu që u privua nga liria”, informon Ministria e Punëve të Brendshme.