Ministri Mexhiti dhe kryetari Sejdiu nënshkruan marrëveshje për rregullimin e shtratit të lumit në Zhelinë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, dhe kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, sot nënshkruan marrëveshje për realizimin e një projekti infrastrukturor me rëndësi të veçantë për popullatën lokale.
Bëhet fjalë për rregullimin e shtratit të lumit në fshatin Kapazhdoll, një investim në vlerë prej 6.062.922 denarë, me të cilin pritet të përmirësohet ndjeshëm siguria në terren dhe të zvogëlohen rreziqet nga përmbytjet sezonale .
Ky intervenim, përveç që do të mundësojë rrjedhjen normale të ujërave atmosferike, paraqet edhe mbrojtje për tokat bujqësore, shtëpitë dhe infrastrukturën rrugore në afërsi të shtratit të lumit.
“Ky projekt është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj problemit që banorët e kanë përjetuar ndër vite pas çdo reshjeje më të madhe shiu. Banorët e Kapazhdoll kanë pritur gjatë për këtë dhe prandaj këtë investim e shoh si mbështetje të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre, por edhe si shenjë që ministria kujdeset edhe për vendbanimet e vogla, me të njëjtin vëmendje si për qytetet e mëdha,” ka theksuar ministri Mexhiti.
Me këtë projekt, Zhelina i bashkohet hartës së komunave që po e ndryshojnë aktivisht ambientin e tyre ekologjik dhe infrastrukturor, në hap me standardet bashkëkohore dhe nevojat e banorëve.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përmes Programit për grante kapitale për vitin 2025, shpërndan rreth 2,5 miliardë denarë në 51 komuna, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës dhe krijimit të një ambienti të shëndetshëm dhe funksional për të gjithë qytetarët, pa dallim nëse jetojnë në qendra urbane apo mjediset rurale.