Nëse arkitektët dhe ndërtuesit jetojnë gjatë, të gjithë ata të repartit rrënues janë më jetëshkurtër, sepse vuajnë peshën e madhe nën të cilën kanë pranuar të futen e ta llogarisin si fat jete! Pra, nuk është e qartë: pse kurrë arkitektët e kompanive nuk i angazhojnë në ndërtim këta të repartit rrënues? I kursejnë, apo, sepse janë mjeshtër të rrënimit dhe nuk ia kanë haber ndërtimit

Nga Jasir Jashari

Këto ditë dynjaja u bë lëmsh! Në Maqedoninë e Veriut ndodhi një precedan i paparë në demokracitë më të përparuara të dynjasë: “Qeveria miratoi Ligjin për Medresenë”!!! Kësisoj, Maqedonia e Veriut ia kaloi edhe shteteve më të zhvilluara myslimane: “Qeveria miratoi Ligj për Medresenë”! Në tërë dynjanë parlamenti është organi që miraton ligjet të cilat kalojnë nëpër qeveri, vetëm në Maqedoni Qeveria i miraton! Në krejt botën e përzier e të diversifikuar sillen dhe miratohen ligje që rregullojnë arsimin në të gjitha nivelet dhe në të gjitha llojet e komuniteteve, vetëm në Maqedoninë e Veriut Qeveria miraton Ligj për Medresenë”! Kështu na e kumtoi Shaqir Fetai, instalacioni më i shëmtuar i shërbimeve, të njëjtën na e kumtoi edhe zv/kryeministri i Qeverisë, z. Izet Mexhiti!
E përshëndetën të gjithë njëri-tjetrin, duke ia taksuar meritat: Shaqir Fetai përshëndeti dy “negociatorët” e BFI-së në komisionin e përbashkët që paskan punuar rreth hartimit të këtij Ligji: Qufli Osmanin dhe Islam Islamin, dy meritorët kryesorë që paskan zhvilluar negociata me Qeverinë për këtë Ligj!!! Në asnjë paraqitje të tij nuk e përshëndet Izet Mexhitin, si bulduzher i këtij Ligji! Pastaj, drejtori i emëruar dhunshëm (pra, jo ai i zgjedhuri nga Këshilli Arsimor i Medresesë), Islam Islami, e përshëndet veten, Qufli Osmanin si dhe Izet Mexhitin. Por, pas disa minutave hiqet kjo “përshëndetje” dhe, zëvendësohet me tjetrin, sepse, si mund të publikohet një përshëndetje ku nuk shprehen përshëndetjet dhe përgëzimet edhe për Shaqir Fetain!
Izet Mexhiti e përshëndet Zeqirja Ibrahimin në Medrese! Pra, u hidhërua me Shaqir Fetain dhe nuk deshti që t’i hyjë në zyrë por i tha nëse dëshiron të takohemi korridoreve të Medresesë! Izet Mexhiti nuk është egoist si Shaqir Fetai: në opinion do të shprehë falënderime të veçanta për ministren e cila, ndonëse maqedonase, e kreu atë punë të cilën nuk ia dolën ta kryejnë ministrat shqiptarë të arsimit – inicoi Ligj për barazinë e medresantëve me gjimnazistët e tjerë, ndonëse medresantët, sipas këtij Ligji, duhet t’i japin provimet diferenciale, pastaj të hynë në provimin shtetëror dhe, tek pastaj të regjistrohen diku nëpër fakultete dhe të dalin “të barabartë”! Po ashtu, në lajmin e vet Izet Mexhiti do ta nënvizon edhe fjalën përshëndetëse të Qenan Ismailit, myftiut pehlivan të Shkupit! Natyrisht, ky duhet të përshëndetet, sepse ka rënë në istigfar dhe, nga ideologu i Forumit Rinor Islam (FRI) që njëzet vite rresht e luftoi BFI-në, më në fund, me strategjinë e “Kalit të Trojës” pranoi që të heq dorë nga FRI dhe të futet brenda BFI-së për ta shpëtuar këtë institucion. Iu bë “tabi” Sulejman Rexhepit, liderit historik të BFI-së! Por kjo pendesë do të shërbejë si trojanëve kali i drunjtë! Do ta zbatojë atë urdhër që erdhi nga një “forcë” të cilën mund ta njohin vetëm Izet Mexhiti, Musa Xhaferri dhe Blerim Bexheti, të cilët pastaj do ta instalojnë në krye të BFI-së Shaqir Fetain, mjeshtrin më të devotshëm, madje edhe të dokumentuar, të rrënimit të BFI-së!
Po pse tash nuk e përshendet Izet Mexhitin? Jo për gjë por, thjesht, ja që është lodhur edhe Shaqir Fetai duke përshëndetur e duke iu gëzuar ligjeve të këtilla, që i miraton Qeveria por që pas iniciativës së një qytetari të rëndomtë Gjykata Kushtetuese i hedh poshtë “Ligjet e Medresesë”! Pastaj, Shaqir Fetai përshëndet vetëm kryeministra e përpjetë, nuk zbret te poshtë se, rrugës mund të ngatërrohet, siç edhe u pa kur përshëndeti: “përshëndes zëvendëskryeministrin e Ministrisë së Arsimit”! Dy vite më herët përshëndeti Kryministrin Talat Xhaferi, tani të zbresë poshtë e të përshëndesë zv/kryministrin Izet Mexhita?! Nuk zbret jo, nuk zbret Shaqir Fetai, nëse nuk e tërhiqni zvarrë ngjashëm siç e tërhoqi Izeti korridoreve të Medresesë!
Në tërë këtë defile të përshëndetjeve nuk u kuptua një gjë: kompanitë e ndërtimeve kanë repart të veçantë të ekipit rrënues, ata që rrënojnë ngrehinat e më parshme dhe që i pastrojnë inertet, të cilat, me shumicë janë kancerogjenoze! Do me thënë, nëse arkitektët dhe ndërtuesit jetojnë gjatë, të gjithë ata të repartit shkatërrues janë më jetëshkurtër, sepse vuajnë peshën e madhe nën të cilën kanë pranuar të futen e ta llogarisin si fat jete! Pra, nuk është e qartë: pse kurrë arkitektët e kompanive nuk i angazhojnë në ndërtim këta të repartit rrënues? I kursejnë, apo, sepse janë mjeshtër të rrënimit? Prandaj ishte aq i padisponim dhe i lodhur Shaqir Fetai në këtë takim përshëndetës në Medrese! Ishte i keqardhur që po prishet ajo që e ndërtoi me Talat Xhaferin, ishte i hidhëruar deri aty ku pilafi s’mban ujë, me Izet Mexhitin që prishi diçka që e kishin ndërtuar më herët dhe që po e detyron Shaqir Fetain që mbase edhe një herë, pas disa muajve, sërish të detyrohet të prishë diçka që e ndërtuan “negociatorët” e Shaqir Fetait! Moni bre, mos e lodhni kaq shumë apatikun! Mos kërkoni vetëm prej tij që të jetë përfaqësues i përhershëm i gënjeshtrës. U lodh më, heeejjjj… Nuk është një prej vëllezërve të Urës së Shenjtë që ditën ndërtonin e natën ua prishte dikush! A edhe për këtë ndërtim duhet një “Rozafë” për kurban, a?! Bollni mo, kini mëshirë!