Valbon Limani i ndanë mirënjohje mërgimtarit Senad Mamudi që udhëtoi me biçikletë nga Zvicra në Çegran

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka nderuar me mirënjohje mërgimtarin Senad Mamudi, i cili ka realizuar një udhëtim të jashtëzakonshëm me biçikletë nga Zvicra deri në fshatin e tij të lindjes, Çegran, për të shprehur dashurinë ndaj vendlindjes.
Ceremonia e nderimit u mbajt pikërisht në Çegran, ku Limani e cilësoi këtë veprim si një akt të fuqishëm simbolik dhe frymëzues.
“Në vendlindjen e tij, në Çegran, pata kënaqësinë ta nderoj me mirënjohje mërgimtarin Senad Mamudi, i cili udhëtoi me biçikletë nga Zvicra deri në Gostivar. Ky ishte një akt i fuqishëm dashurie për vendlindjen, një mesazh frymëzues dhe ftesë simbolike për të gjithë mërgimtarët se rruga drejt atdheut duhet të jetë e shpeshte dhe e hapur gjithmonë”, shkroi Limani.
Ky gjest i Senad Mamudit ka prekur shumë zemra dhe është vlerësuar gjerësisht si një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit. Ai përçoi mesazhin se dashuria për atdheun nuk njeh kufij dhe distanca.